Blinken paralajmëron Iranin në OKB: Mos guxoni të sulmoni amerikanët, do reagojmë ashpër

Botë | 3 vite më parë

Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken paralajmëroi Iranin se nëse Teherani apo aleatët e tij sulmojnë personelin amerikan kudo ndodhet, atëherë SHBA do të reagojë me të gjithë forcën e saj.

Duke folur në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, mbi konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit,  Blikeni i bëri të qartë Iranit se do të marrë përgjigjen që meriton nëse përpiqet të sulmojë SHBA-të.

“Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë konflikt me Iranin. Ne nuk duam që kjo luftë të zgjerohet. Por nëse Irani ose përfaqësuesit e tij sulmojnë personelin amerikan kudo, mos e bëni atë gabim. Ne do të mbrojmë popullin tonë, do të mbrojmë sigurinë tonë, me shpejtësi dhe me vendosmëri” tha Antony Blinken gjatë sesionit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Sekretari amerikan i shtetit tha gjithashtu se do të punojë me kryediplomatin kinez Vang Ji për të parandaluar përhapjen e konfliktit në Lindjen e Mesme kur ata të takohen këtë javë, teksa kryediplomati kinez Ji do të mbërrijë në Uashington të enjten.

Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guteres pretendoi shkelje të së drejtës ndërkombëtare ndërsa Izraeli kishte në shënjestër Gazën.

“Jam thellësisht i shqetësuar për shkeljet e qarta të ligjit ndërkombëtar humanitar që po dëshmojmë në Gaza. Më lejoni të jem i qartë: asnjë palë në një konflikt të armatosur nuk është mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare” tha ai. Ndërsa presidenti turk Tajip Erdoan akuzoi Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për thellimin e krizës në Gaza duke iu përkulur “regjimit izraelit”.

“Komuniteti ndërkombëtar nuk po përballet me sfidën e sulmeve të paligjshme dhe të pakufizuara të regjimit izraelit kundër civilëve” tha Erdoan, ndërsa shtoi se “ne vërejmë se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e ka thelluar krizën me qëndrimin e tij të njëanshëm në vend që të ndalet gjakderdhja, të sigurohet një armëpushim sa më shpejt të jetë e mundur dhe të merren hapa për të parandaluar viktimat civile.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme