Nuk ka paqe për Koloseun, një tjetër turist gërvisht monumentin e famshëm romak

Për Koloseun, amfiteatrin 2.000 vjeçar në qendër të Romës nuk ka paqe. Një student gjerman 17 vjeçar, që shoqërohej edhe nga mësuesi u denoncua nga karabinierët për prishje të monumentit të famshëm, që është nën mbrojtjen e UNESCO-s qysh prej vitit 1980.
Ndaj studentit gjerman, që ndodhej në udhëtimin e tij mësimor me mësuesin e artit, u morën masa administrative, teksa stafi mbikqyrës i amfiteatrit Flavio, emri që mori pas përfundimit të ndërtimit kur perandor ishte Tito Flavio Vespasiano, njoftuan se 17-vjeçari ishte ndalur teksa po gërvishte në murin e katit përdhes, duke prishur një prej tullave.
Ndaj të riut u mor masë, një gjobë 400 euro e parashikuar nga rregullorja e komunës së Romës.
Ky është rasti i tretë brenda pak javësh pasi i pari ndodhi në qershor, ku një turist amerikan shkroi emrin e të fejuarës e më pas u gjobit me një shumë të majme, ndërkohë që ai u shpreh në media se nuk kishte informacion për rëndësinë e Koloseut.
Po ashtu edhe tre ditë më parë një tjetër turiste zvicerane gdhendi inicialet e saj në monumentin e trashëgimisë botërore të UNESCO-s që nga viti 1980.
Gazetare: Melisa Shameti
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




