Moska pezullon marrëveshjen e grurit, Zelensky kërkon vazhdimin e saj pa pjesëmarrjen ruse

Marrëveshja që lejon Ukrainën të eksportojë grurë përmes Detit të Zi ka përfunduar zyrtarisht pasi Rusia u tërhoq nga kjo marrëveshje. Vendimi është dënuar nga liderët botërorë, të cilët thonë se do të prekë zonat me njerëzit më të varfër të planetit.
Rusia tha se do të kthehej në marrëveshje nëse plotësoheshin kushtet e saj. Presidenti rus Vladimir Putin ishte ankuar prej kohësh se kushtet e marrëveshjes që lejonin eksportin e ushqimit dhe plehrave ruse nuk ishin respektuar. Në veçanti, ai tha se gruri nuk ishte furnizuar për vendet më të varfra, gjë që ishte një kusht i marrëveshjes.
Rusia gjithashtu u ankua vazhdimisht se sanksionet perëndimore po kufizonin eksportet e saj bujqësore, ndërsa dhe më herët kishte kërcënuar për ndërprerjen e marrëveshjes.
Nga ana tjetër, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se vendi i tij synonte të vazhdonte eksportin e grurit me vendet e tjera, sipas BBC.
Zelensky theksoi se marrëveshja e drithërave e Detit të Zi ka potencialin të funksionojë në mënyrë efektive edhe pa përfshirjen e Moskës. Ai tha se vendimi i Rusisë paraqet një mundësi për komunitetin ndërkombëtar që të tregojë se “shantazhi” nuk mund të përcaktojë se kush ka ushqim të mjaftueshëm.
“Ne nuk kemi frikë. Na u afruan nga kompani që zotërojnë anije dhe ata janë të gatshëm të vazhdojnë transportin e grurit.” tha presidenti rus.
Marrëveshja, e ndërmjetësuar vitin e kaluar nga Turqia dhe OKB-ja, i lejoi Kievit të eksportonte grurë nga portet e tij dhe të lundronte në kalimin e sigurt përmes Detit të Zi pasi Moska bllokoi portet në rajon. Marrëveshja ishte rinovuar tre herë , por Rusia ka argumentuar se ajo është penguar në eksportimin e produkteve të saj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




