Samiti në Vilnius/ Zelensky: Absurde nëse nuk jepet afat kohor për anëtarësimin e Ukrainës

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se duhet të jepet një afat kohor në lidhje me anëtarësimin e Ukrainës në NATO.
Ai e konsideron absurd faktin që ende nuk ka një afat në lidhje me këtë gjë.
“Është e paprecedentë dhe absurde kur nuk përcaktohet afati kohor as për ftesën dhe as për anëtarësimin e Ukrainës. Duket se nuk ka gatishmëri as për të ftuar Ukrainën në NATO dhe as për ta bërë atë anëtare të aleancës”, tha Zelensky.
NATO ra dakord në vitin 2008 që Ukraina “do” të bëhet anëtare. Por aleanca nuk tha se si dhe kur mund të ndodhë kjo.
“Tani, rrugës për në Vilnius, ne morëm sinjale se formulime të caktuara po diskutohen pa Ukrainën“, shton ai.
Ai thekson se ky formulim ka të bëjë me “ftesën për t’u bërë anëtare e NATO-s, jo për anëtarësimin e Ukrainës”.
“Pasiguria është dobësi. Dhe unë do ta diskutoj hapur këtë në samit,” tha Presidenti Zelensky.
Samiti i NATO-s po mbahet në Vilnius, Lituani, ku mbështetja ndaj Ukrainës do të jetë kryefjala e samitit në ditën e dytë të punimeve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




