Protestat/ Franca “në flakë”, forca të shumta policie në gatishmëri për funeralin e 17-vjeçarit! Dëshmia e re shton akuzat mbi efektivin

E tensionuar mbetet situata në Francë, pas vrasjes të martën e kaluar të një 17-vjeçari nga një punonjës policie. Më shumë se 1000 arrestime janë bërë në protestat e dhunshme, e cila ka vazhduar për të katërtën ditë radhazi, ndërsa policia është në gatishmëri të lartë mes frikës për dhunë të mëtejshme në funeralin e 17-vjeçarit Nael.
Në të njëjtën kohë, mundësia e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme mbetet e hapur, ndërsa një dëshmi e re “djeg” efektivin e policisë që qëlloi mbi 17-vjeçarin.
Konkretisht, pasagjeri i tretë i mjetit pretendon se njëri polic i ka kërkuar tjetrit që të qëllojë mbi 17-vjeçarin.
“Oficeri i parë i kërkoi Naelit të ulte xhamin. I ka thënë ‘fike motorin ose do të qëlloj’. Dhe ai e goditi me grusht. Dhe më pas mbërriti polici i dytë dhe qëndroi përballë xhamit të përparmë në lartësinë e Naelit. Prej aty, polici i parë në nivelin e dritares vendos një armë në tëmth dhe i thotë ‘mos lëviz ose do të të fus një plumb në kokë’. Polici i dytë thotë ‘gjuaje’ . Polici i parë e goditi sërish me grusht. Më pas Naeli ndezi motorin dhe më pas polici i dytë që ndodhej përpara mjetit qëlloi. E pashë duke u gjakosur dhe duke u dridhur, ramë mbi një lokal”.
Numri rekord i arrestimeve
Deri më tani janë bërë më shumë se 1300 arrestime në të gjithë Francën, pasi protestat për vdekjen e 17-vjeçarit vazhdojnë t’i vënë flakën shumë zonave të klasës punëtore të vendit. Të paktën 79 oficerë policie u plagosën nga përleshja me protestuesit.
Në Marsejë , në jug të Francës, situata ishte veçanërisht e tensionuar, ku ministri i Brendshëm francez Gérald Darmanin dërgoi përforcime. Disa persona hynë në një dyqan armësh dhe vodhën armë gjahu, por jo municion, thanë autoritetet./ BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




