Lukashenko, ftesë mercenarëve të Wagnerit të stërvitin ushtrinë e tij: Nuk kam frikë prej tyre, i njoh për një kohë të gjatë

Botë | 3 vite më parë

Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandr Lukashenko ka ftuar mercenarët e grupit Wagner në vendin e tij për të trajnuar ushtrinë e tij. Lukashenko e bëri ftesën në një fjalim të premten kushtuar Ditës së Pavarësisë së Bjellorusisë.

“Për fat të keq mercenarët e Wagnerit nuk janë këtu. Dhe nëse instruktorët e tyre, siç u thashë tashmë, vijnë dhe na përcjellin përvojën luftarake, ne do ta pranojmë këtë përvojë“, tha Lukashenko.

Deklarata e Lukashenko vjen vetëm një javë pasi liderit bjellorus iu njoh merita për shuarjen e një kryengritjeje të armatosur nga forcat Wagner kundër Moskës.

Në një seri ngjarjesh që përbënin kërcënimin më të madh për presidentin rus Vladimir Putin në vite, lideri i Wagner-it Yevgeny Prigozhin kishte marshuar forcat e tij drejt kryeqytetit rus, duke marrë kontrollin e objekteve ushtarake në dy qytete ruse, në atë që ai tha se ishte një përgjigje ndaj një sulmi ushtarak rus në një kamp Wagner.

Kriza u qetësua vetëm pasi Lukashenko ndërmjetësoi një marrëveshje sipas së cilës Prigozhin do të transferohej në Bjellorusi. Si pjesë e së njëjtës marrëveshje, trupave të Wagner-it iu dha mundësia që të regjistroheshin në ushtrinë ruse ose agjencitë e zbatimit të ligjit, të ktheheshin te familja dhe miqtë e tyre, ose të shkonin në Bjellorusi. Në fjalimin e tij të premten, Lukashenko tha se nuk kishte frikë nga anëtarët e Grupit Wagner pasi “i njihte ata për një kohë të gjatë”.

“Këta janë njerëz që luftuan në të gjithë botën për të krijuar një qytetërim normal. Perëndimi i urren ata deri në palcë”, tha ai.

Ai paralajmëroi gjithashtu se po afrohej një krizë ushtarako-politike në shkallë botërore e paprecedentë në historinë e njerëzimit dhe kritikoi Perëndimin për mosnjohjen e nevojës për dialog për ta zgjidhur atë./ CNN

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme