Zelensky: Me Rusinë s’ka negociata derisa të tërhiqet plotësisht nga Ukraina

Botë | 3 vite më parë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se çdo negociatë me Rusinë është e mundur vetëm kur Moska të tërheqë plotësisht trupat e saj nga territoret e pushtuara të Ukrainës.

“Sot, e kam thënë qartë dhe në mënyrë të përsëritur në takimin tonë se të lejosh çdo negociatë me Rusinë tani që okupatori është në tokën tonë do të thotë të mbash pezull luftën, të mbash pezull dhimbjen dhe vuajtjet.

Është e qartë se Rusia tani po përpiqet t’i kthehet taktikave të vjetra primitive të mashtrimit. Por mashtrimi i Rusisë nuk do të funksionojë më. Është definitivisht e pamundur të mashtrosh Ukrainën.

E theksoj edhe një herë: Ne kemi nevojë për paqe të vërtetë, dhe për këtë arsye dhe për një tërheqje të vërtetë të trupave ruse nga e gjithë toka jonë e pavarur”, u shpreh  Zelensky në një konferencë shtypi pas takimit me disa afrikanë.

Zelensky dukej se ishte në kundërshtim me presidentin e Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa, i cili qëndroi përkrah tij në konferencën për shtyp dhe bëri thirrje për një de-përshkallëzimin e konfliktit.

Ramaphosa tha se “duhet të ketë de-përshkallëzim nga të dyja palët në mënyrë që të arrihet paqja dhe një mënyrë për të zgjidhur konfliktin”.

Zelensky tha se ai dhe udhëheqësit afrikanë kishin diskutuar gjithashtu marrëveshjen e grurit të Detit të Zi, e cila është thelbësore për sigurinë ushqimore në mbarë globin. Ukraina është një nga eksportuesit kryesorë në botë të grurit, transmeton CNN.

“Ne ndihmojmë botën dhe pikërisht shumë popuj të Afrikës, Azisë, Evropës për të ruajtur stabilitetin social dhe parashikueshmërinë e çmimeve në tregun e ushqimit nëpërmjet eksporteve tona. Së bashku me partnerët, ne po punojmë në qendrat e drithit në Afrikë” tha Zelensky.

Në maj, marrëveshja e grurit u zgjat për dy muaj në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme