Gjyqi ndaj Trump do të zhvillohet më 25 mars 2024

Botë | 4 vite më parë

Një gjykatë në Shtetet e Bashuara të Amerikës caktoi 25 marsin e vitit 2024 si datë për gjykimin ndaj ish-presidentit Donald Trump. 

Kjo periudhë përkon me kulmin e fushatës zgjedhore për kandidatin presidencial brenda Partisë Republikane. 

Gjykatësi i Manhatanit të Nju Jorkut, Juan Merchan njoftoi për këtë datë gjatë një seance ku Trump mori pjesë përmes një video-lidhjeje. 
Muajin e kaluar, ish presidenti amerikan u deklarua se ishte i pafajshëm për 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit, në lidhje me pagesat që kompania e tij i kishte dhënë ish-avokatit të tij, Michael Cohen. 

Trumpit iu dha leje që mos të paraqitej personalisht në gjykatë, me qëllim të shmangies së sfidave të mëdha të sigurisë dhe logjistikës që pasuan pas shpalljes së akuzës kundër tij muajin e kaluar.  

Prokurorët thonë se këto pagesa kishin për qëllim rimbursimin dhe kompensimin e avokatit Cohen për kryerjen e pagesave në këmbim të heshtjes gjatë fushatës së vitit 2016 lidhur me akuza për marrëdhënie jashtëmartesore. Trump mohon të ketë pasur lidhje jashtëmartesore dhe thotë se ndjekja penale është e motivuar politikisht.  

Gjykatësi Merchan, duke vënë në dukje statusin “të veçantë” të Trump si ish-president dhe kandidat aktual, e ka bërë të qartë se urdhri mbrojtës nuk duhet të interpretohet si një urdhër për t’i mbyllur atij gojën dhe se Trump ka të drejtë të mbrohet publikisht. 

Avokatët e ish-presidentit po kërkojnë që çështja e tij penale të transferohet në gjykatën federale. Por, derisa të vendoset nëse një gjë e tillë do të pranohet, ajo do të vazhdojë në gjykatën shtetërore.

/ RTSH /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme