OKB thirrje udhëheqësve ushtarake të Sudanit: Respektoni armëpushimin 7-ditor

I dërguari i OKB-së për Sudanin u kërkoi udhëheqësve ushtarakë të luftës të respektojnë armëpushimin shtatë-ditor që filloi të hënën mbrëma (22 maj).
Volker Perthes i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se konflikti, i cili filloi më 15 prill, nuk ka treguar shenja ngadalësimi pavarësisht gjashtë deklaratave të mëparshme të armëpushimit nga të dyja palët.
Armëpushimi i së hënës është i shtati që shpallet që nga konflikti mes ushtrisë sudaneze, të udhëhequr nga gjenerali Abdel Fattah Burhan, dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë, të komanduara nga Mohamed Hamdan Dagalo, muajin e kaluar.
Të gjitha armëpushimet e mëparshme janë shkelur.
Duke folur disa orë përpara fillimit të armëpushimit, Perthes u bëri thirrje të dyja palëve të ndalojnë luftimet në mënyrë që ndihma humanitare e nevojshme të shkojë te ata në nevojë dhe civilët e kapur në luftime të largohen të sigurt, sipas AP News.
Luftimet janë duke ndodhur në pika kyçe strategjike në Kartum, në mes të ushtarëve të rregullt dhe forcës paramilitare – Forca e Mbështetjes së Shpejtë (RSF).
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




