OKB: 2 milion viktima dhe 4.3 trilion dollarë dëme ekonomike janë shkaktuar nga moti ekstrem në 50 vitet e fundit

Gati 12,000 ngjarje ekstreme të motit, të ndodhura në gjysmëshekullin e kaluar në mbarë globin, kanë vrarë më shumë se 2 milionë njerëz dhe kanë shkaktuar dëm ekonomik prej 4.3 trilion dollarësh.
Përmbledhja është bërë nga Organizata Botërore Meteorologjike (OBM) në kongresin e saj katër-vjeçar, duke dhënë mesazhin se duhet bërë më shumë për të përmirësuar sistemet e alarmit për ngjarjet ekstreme të motit.
Agjencia me bazë në Gjenevë ka paralajmëruar vazhdimisht për ndikimin e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu, duke thënë se temperaturat në rritje kanë rritur shpeshtësinë dhe intensitetin e motit ekstrem, duke përfshirë përmbytjet, uraganet, ciklonet dhe thatësirën.
Sipas Organizatës, sistemet e paralajmërimit të hershëm kanë ndihmuar në reduktimin e vdekjeve të lidhura me klimën dhe katastrofa të tjera të lidhura me motin. Pjesa më e madhe e dëmit ekonomik midis 1970 dhe 2021 ishte në Shtetet e Bashkuara, në total 1.7 trilion dollarë, ndërsa nëntë në 10 vdekje në mbarë botën ndodhën në vendet në zhvillim.
Sekretari i Përgjithshëm i OBM-së, Petteri Taalas, tha se stuhia ciklonike Mocha që përfshiu Mianmarin dhe Bangladeshin këtë muaj, ilustron se si komunitetet më të cenueshme, për fat të keq, mbajnë barrën e rreziqeve të motit, klimës dhe ujit.
Gjetjet ishin pjesë e një përditësimi të Atlasit të Vdekshmërisë dhe Humbjeve Ekonomike nga moti, klima dhe ekstremet e ujit, i cili më parë kishte mbuluar një periudhë gati 50-vjeçare deri në vitin 2019. Temperaturat ekstreme ishin shkaku kryesor i vdekjeve të raportuara, ndërsa përmbytjet ishin shkaku kryesor i humbjeve ekonomike.
Në Afrikë, u numëruan më shumë se 1,800 fatkeqësi dhe 733,585 vdekje të lidhura me motin, klimën dhe ekstremet e ujit, duke përfshirë përmbytjet dhe stuhitë. Më i kushtueshëm ishte cikloni tropikal Idai në vitin 2019, i cili arriti në 2.1 miliardë dollarë dëme.
Gati 1,500 fatkeqësi goditën Paqësorin jugperëndimor, duke shkaktuar 66,951 vdekje dhe 185.8 miliardë dollarë humbje ekonomike.
Azia u përball me mbi 3,600 fatkeqësi, duke kushtuar 984,263 jetë dhe 1.4 trilion dollarë humbje ekonomike. Amerika e Jugut pati 943 fatkeqësi që rezultuan në 58,484 vdekje dhe mbi 115 miliardë dollarë humbje ekonomike.
Mbi 2,100 fatkeqësi në Amerikën e Veriut, Amerikën Qendrore dhe Karaibe çuan në 77,454 vdekje dhe 2 trilion dollarë humbje ekonomike.
Evropa pa gati 1,800 fatkeqësi që çuan në 166,492 vdekje dhe 562 miliardë dollarë humbje ekonomike.
Javën e kaluar, Organizata parashikoi që brenda pesë viteve të ardhshme Toka ka 66% shanse që të përballet me një vit që mesatarisht është 1.5 gradë Celsius (më i ngrohtë se në mesin e shekullit të 19-të, duke arritur një prag kyç të synuar nga marrëveshja e klimës së Parisit të vitit 2015./ Washingtonpost
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




