Ministri i Jashtëm i Ukrainës takohet me të dërguarin e posaçëm kinez, diskutohet mbi mundësinë për paqe

Ministri i Jashtëm i Ukrainës u takua me ndërmjetësin kinez, për të diskutuar se si mund t’i jepet fund luftës së Rusisë. Asnjë detaj nuk u bë publik për këtë takim.
Gjatë dy ditëve të fundit, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, diskutoi me të dërguarin kinez Li Hui mbi “mënyrat për të ndaluar agresionin rus”. Kjo u bë e ditur nga ministria e Jashtme e Ukrainës, nëpërmjet një deklarate.
Kuleba e informoi Li, një ish-ambasador kinez ky në Moskë, “për parimet e rivendosjes së një paqeje të qëndrueshme dhe të drejtë, të bazuar në respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”.
Kuleba, sipas deklaratës, përsëriti qëndrimin e qeverisë së tij se Ukraina nuk do të pranojë asnjë propozim që përfshin humbjen e territoreve të saj, ose që çon në “ngrirjen e konfliktit”.
Qeveria e liderit kinez Xi Jinping, thotë se është neutrale dhe se dëshiron të shërbejë si ndërmjetëse në konfliktin 15-mujor, por ka mbështetur politikisht Moskën. Pekini publikoi një plan paqeje në shkurt, por aleatët e Ukrainës e hodhën poshtë atë, duke këmbëngulur se forcat ushtarake të presidentit rus, Vladimir Putin, duhet të tërhiqen.
Ministria e Jashtme kineze ka informuar se Li do të vizitojë Poloninë, Francën dhe Gjermaninë, por nuk ka dhënë detaje. Analistët politikë shprehen se ka pak shpresa për një marrëveshje paqeje, sepse as Ukraina dhe as Rusia nuk janë gati që të ndalojnë luftimet. Apnews
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




