Autori Salman Rushdie paralajmëron se fjala e lirë është nën kërcënim

Nëntë muaj pasi u godit me thikë në skenë, autori i njohur Salman Rushdie në një fjalim të rrallë ka paralajmëruar se liria e shprehjes në Perëndim është nën kërcënim.
Sulmi në një festival letrar në Nju Jork e la atë të verbër në njërin sy. Rushdie është më i njohur për romanin e tij të vitit 1988 “Vargjet Satanike”.
Libri, të cilin disa muslimanë e kanë cilësuar si blasfemi, u ndalua në disa vende brenda disa muajsh nga botimi i tij dhe ndezi protesta në libraritë në mbarë botën.
“Tani jam në SHBA, më duhet të shikoj sulmin e jashtëzakonshëm ndaj bibliotekave dhe librave për fëmijët në shkolla. Sulmi ndaj idesë së vetë bibliotekave. Është jashtëzakonisht alarmante, dhe ne duhet të jemi shumë të vetëdijshëm për të dhe të luftojmë kundër saj shumë ashpër” tha autori.
Udhëheqësi i Iranit bëri thirrje gjithashtu për vrasjen e Rushdie në 1989 dhe vendosi një shpërblim prej 3 milion dollarësh për kokën e autorit.
Autori fitues i çmimeve kritikoi gjithashtu rishkrimin e librave të vjetër në kohët moderne për të hequr gjuhën e konsideruar fyese, duke thënë se librat duhet “të na vijnë nga koha e tyre dhe të jenë të kohës së tyre”.
Para se të sulmohej në skenë në Nju Jork, Rushdie ishte gati të mbante një fjalim për mënyrën sesi SHBA ka shërbyer si një parajsë për shkrimtarët e mërguar nën kërcënimin e ndjekjes penale.
Shkrimtari britaniko-amerikan me origjinë indiane u detyrua të fshihej për gati 10 vjet pasi u botua The Satanic Verses citon BBC.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




