Stoltenberg: Aleatët duhet të dyfishojnë përpjekjet për të garantuar sigurinë e qytetarëve të NATO-s

Në nisje të Komitetit Ushtarak të NATO-s, sekretari i Përgjithshëm i organizatës, Jens Stoltenberg u shpreh se aleatët duhet të dyfishonin përpjekjet në mënyrë që të garantohet siguria e rreth 1 miliardë qytetarëve të vendeve të NATO-s, duke cituar si arsye një sërë kërcënimesh në rritje.
“Transformimi i aleancës sonë gjatë dekadës së fundit ka qenë mbresëlënëse. Qëkur Rusia aneksoi në mënyrë të paligjshme Krimenë dhe hyri në Ukrainën lindore në 2014-ën, ne kemi rritur gadishmërinë e forcave tona.
Për ta parën herë në histori, kemi dislokuar trupa në lindje të aleancës dhe aleatët europianë dhe Kanadaja kanë shpenzuar një shumë shtesë prej 350 miliardë dollarësh për mbrojtjen”, u shpreh Stoltenberg, duke renditur më tej arritjet që sipas tij ka shënuar aleanca e cila ishte e përgatitur kur presidenti rus urdhëroi pushtimin e Ukrainës vitin e shkuar.
Brenda pak orësh aktivizuam të gjitha planet tona të Mbrojtjes. Vumë 40 miëj trupa nën komandën e NATO, të mbështetur nga ajri dhe deti si dhe fuqizuam mbrojtjen nga Balltiku deri në Detin e Zi.
Këto veprime reduktojnë rrezikun e keqllogaritjes dhe përshkallëzimit përtej Ukrainës, duke e bërë të qartë si kristali se do të mbrojmë çdo centimetër te territorit të NATO-s” u shpreh sekretari i Përgjithshëm i aleancës ushtarake më të madhe në botë.
Ai gjithashtu theksoi se e ardhmja mund të jetë më e rrezikshme, prandaj nevojitet dyfishimi i përpjekjeve për mbrojtjen e qytetarëve të aleancës.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




