“Lufta në Ukrainë e bën botën më pak të qëndrueshme”, Ministri i Jashtëm: Japonia në bisedime për të hapur një zyrë të NATO-s

Japonia është në bisedime për të hapur një zyrë ndërlidhëse të NATO-s, e para e këtij lloji në Azi.
Ministri i Jashtëm i vendit, Yoshimasa Hayashi në një intervistë për CNN tha se këto bisedime vijnë pasi pushtimi rus i Ukrainës e ka bërë botën më pak të qëndrueshme.
Hayashi përmendi në mënyrë specifike pushtimin rus të Ukrainës vitin e kaluar si një ngjarje me pasoja shumë përtej kufijve të Evropës që e detyruan Japoninë të rimendonte sigurinë rajonale.
“Ne jemi tashmë në diskutime, por asnjë ende nuk është finalizuar. Arsyeja pse ne po diskutojmë për këtë është se që nga agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, bota është bërë më e paqëndrueshme“, tha Yoshimasa Hayashi.
“Diçka që ndodh në Evropën Lindore nuk kufizohet vetëm në çështjen në Evropën Lindore, dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në situatën këtu në Paqësor. Kjo është arsyeja pse një bashkëpunim mes nesh në Azinë Lindore dhe NATO-s po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm”, tha ai.
Ai shtoi se Japonia nuk është një anëtare e traktatit të NATO-s, e cila përfaqëson Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut por se lëvizja dërgon një mesazh që partnerët e bllokut në Azi-Paqësor po angazhohen në një mënyrë shumë të qëndrueshme me NATO-n.
NATO ka zyra të ngjashme ndërlidhëse në vende të tjera, duke përfshirë Ukrainën dhe Vjenën. Zyra ndërlidhëse në Japoni do të mundësojë diskutime me partnerët e sigurisë të NATO-s, si Koreja e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re, mbi sfidat gjeopolitike, teknologjitë e reja dhe përçarëse dhe kërcënimet kibernetike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




