Rusia rendit SHBA-në si kërcënim për Moskën dhe paqen ndërkombëtare

Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi sot dekretin mbi një version të ri të Konceptit të Politikës së Jashtme ruse, që rendit SHBA-në si kërcënimin kryesor të sigurisë për Rusinë.
“Moska e konsideron kursin e Uashingtonit si burimin kryesor të rreziqeve për sigurinë e saj dhe për paqen ndërkombëtare dhe zhvillimin e drejtë të njerëzimit në tërësi. Koncepti i ri i politikës së jashtme parashikon mundësinë e masave simetrike dhe asimetrike në përgjigje të veprimeve jomiqësore kundër Federatës Ruse” tha ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov pasi i prezantoi Putinit doktrinën e përditësuar.
Dokumenti prej 42 faqesh përshkruan objektivat kryesore të politikës së jashtme të Moskës, ndër të cilat janë forcimi i bashkëpunimit ushtarak me aleatët dhe eliminimi i dominimit të SHBA-së në çështjet botërore, transmeton CNN.
Dokumenti nuk përmendi drejtpërdrejt Ukrainën edhe pse Rusia vazhdon pushtimin e saj në shkallë të plotë.
“Qëllimi kryesor është ta kthejë rajonin në një zonë paqeje, fqinjësie të mirë dhe prosperiteti”, thuhet më tej në document.
Sipas dokumentit, Moska sheh gjithashtu “rreziqet e përkeqësimit të konflikteve që përfshijnë vende të mëdha, si dhe përshkallëzimin e tyre në një luftë lokale ose globale. Faktori i forcës përcakton gjithnjë e më shumë marrëdhëniet midis vendeve.”
Rusia do të fokusohet gjithashtu në thellimin e lidhjeve me Indinë dhe Kinën si dhe rritjen e bashkëpunimit me vendet e Amerikës Latine.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




