Abdixhiku fiton votëbesimin/LDK rrëzon mocionin e shkarkimit, hap sërish dialogun me Vetëvendosjen
Lumir Abdixhiku do të vijojë të drejtojë Lidhjen Demokratike të Kosovës, pasi i mbijetoi votëbesimit në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të partisë. Mocioni për shkarkimin e tij u rrëzua me 169 vota kundër, ndërsa 152 delegatë votuan pro largimit të kryetarit. Gjatë fjalës së tij, Abdixhiku e cilësoi mbledhjen të panevojshme dhe kritikoi zërat kundërshtues brenda partisë për sulmet dhe akuzat publike ndaj LDK-së.
Ai theksoi se reforma që synon të ndërmarrë nuk është përjashtuese, por synon zgjerimin dhe forcimin e partisë. Sipas tij, anëtarët që mbajnë logon e LDK-së duhet të respektojnë vendimet dhe orientimin politik të saj. Pas përfundimit të votimit, Abdixhiku njoftoi se nga dita e nesërme hiqet pezullimi i bisedimeve me Lëvizjen Vetëvendosje për të vijuar diskutimet politike.
Ai bëri të ditur se Kuvendi ka miratuar edhe një deklaratë për tejkalimin e ngërçit politik dhe shmangien e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili konfirmoi rikthimin e autorizimit për negociata me Vetëvendosjen. Haziri tha se çdo bashkëpunim i mundshëm duhet të mbështetet në një marrëveshje të plotë për programin qeverisës, politikat sektoriale dhe ndarjen e përgjegjësive.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




