Aksidenti në Durrës ku humbi jetën 18-vjeçarja, arrestohet shoferi, policia: Drejtonte automjetin në gjendje të dehur

Aktualitet | 9 muaj më parë

Policia e Durrësit ka arrestuar 26-vjeçarin A.XH., shofer i automjetit që ra mbrëmjen e së enjtes nga lartësia tek Ura e Dajlanit, aksident ku humbi jetën një 18-vjeçare.

Sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, “në vijim të informacionit të dhënë mbrëmë, mbi aksidentin rrugor te ura e Dajlanit, me pasojë vdekjen e shtetases V. G., informojmë se shërbimet e Policisë Rrugore kryen menjëherë veprimet hetimore të nevojshme, me qëllim zbardhjen e rrethanave të aksidentit”.

Në përfundim të këtyre veprimeve, u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të automjetit në të cilin ishte pasagjere shtetasja V. G., shtetasit A. Xh., 26 vjeç, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen, dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Nga hetimet rezultoi se 26-vjeçari ka humbur kontrollin mbi automjetin që drejtonte në gjendje të dehur, dhe si pasojë, automjeti është përplasur me barrierat anësore të urës dhe ka rënë nga ajo.

26-vjeçari vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, aktualisht jashtë rrezikut për jetën, ndërsa 2 këmbësorët e dëmtuar kanë marrë asistencën mjekësore të nevojshme dhe janë larguar në banesa.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme