Aleatët e NATO-s ushtrojnë presion mbi Greqinë për të transferuar avionët Mirazh në Ukrainë

Sipas një raporti të gazetës greke Kathimerini, disa anëtarë të NATO-s – kryesisht Shtetet e Bashkuara dhe Franca – po ushtrojnë presion ndaj Greqisë që të shqyrtojë mundësinë e rishitjes së një pjese të flotës së saj prej 24 avionësh luftarakë Mirage 2000-5, me synimin përfundimtar që ato të përfundojnë në duart e Ukrainës.
Në rastin e rishitjeve, fuqitë kryesore të NATO-s, si SHBA-ja, Franca dhe Gjermania, zakonisht veprojnë si ndërmjetës.
Ndërkohë, Çekia po shërben si qendër logjistike për operacionet e transferimit, dhe Estonia ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në këtë proces.
Megjithatë, sipas burimeve diplomatike të cituara nga Kathimerini, Athina mbetet kundër kësaj ideje. Greqia ngurron të rrezikojë që teknologjia e saj ushtarake e avancuar të përfshihet në një përballje të drejtpërdrejtë me Rusinë.
Që prej fillimit të luftës në Ukrainë, Greqia ka kontribuar me automjete të blinduara, raketa, armë zjarri dhe ka ndihmuar në trajnimin e pilotëve ukrainas për avionët F-16.
Megjithatë, ajo ka refuzuar kërkesat për dërgimin e sistemeve mbrojtëse ajrore si Patriot dhe S-300.
Së fundmi, zëdhënësi i qeverisë greke, Pavlos Marinakis, ka deklaruar se Greqia nuk do të dërgojë trupa në Ukrainë, edhe nëse kjo kërkohet si pjesë e ndonjë garancie të ardhshme evropiane për sigurinë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




