Analiza 6-mujore e AMP-së, Lamallari: Lufta kundër korrupsionit në radhët e Policisë së Shtetit, prioritet që nuk negociohet

Aktualitet | 3 muaj më parë

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, theksoi se lufta kundër korrupsionit brenda Policisë së Shtetit mbetet prioritet absolut dhe i panegociueshëm.

Gjatë analizës së punës 6-mujore të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), Lamallari vlerësoi rolin vendimtar të kësaj agjencie në forcimin e integritetit të forcave të rendit dhe në plotësimin e standardeve të kërkuara nga procesi i integrimit evropian të Shqipërisë.

“Deri në anëtarësimin në Bashkimin Evropian, rezultatet nuk do të maten vetëm me ligje apo dokumente, por me institucione që funksionojnë, me standarde që zbatohen dhe me besimin që qytetarët kanë tek shteti. Në këtë proces, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka një rol kyç,” u shpreh Lamallari”, u shpreh Lamallari.

Ministri solli në vëmendje detyrimet që burojnë nga Grupkapitulli “Themelorët” në negociatat me BE-në, duke theksuar se forcimi i integritetit në radhët e Policisë së Shtetit përbën një nga kriteret kyçe për avancimin e procesit.

Ai kërkoi që AMP të jetë më proaktive në identifikimin e rasteve të korrupsionit dhe shkeljeve të integritetit, duke përdorur analiza risku, inspektime, hetime administrative dhe trajtim profesional të ankesave të qytetarëve.

“Lufta kundër korrupsionit brenda strukturave ligjzbatuese është një prioritet i panegociueshëm. AMP duhet të jetë gjithnjë e më shumë proaktive në identifikimin e rasteve të korrupsionit dhe shkeljeve të integritetit, përmes analizës së riskut, inspektimeve, hetimeve administrative dhe trajtimit profesional të ankesave të qytetarëve”, deklaroi Lamallari.

Ministri u ndal edhe te nevoja për të mbrojtur shumicën dërrmuese të punonjësve të policisë, të cilët kryejnë detyrën me ndershmëri dhe profesionalizëm.

“Nuk mund të ketë një polici të fortë pa integritet dhe nuk mund të ketë siguri të qëndrueshme pa besimin e qytetarëve. Çdo punonjës që shkel ligjin, abuzon me detyrën apo tradhton besimin e qytetarëve nuk dëmton vetëm institucionin, por godet vetë autoritetin e shtetit. Pikërisht për këtë arsye, AMP duhet të veprojë me vendosmëri, pa kompromis dhe pa ndikime, për të identifikuar, hetuar dhe larguar nga radhët e Policisë çdo element që njollos uniformën,” u shpreh Lamallari.

Sipas Lamallarit, pastrimi i radhëve të Policisë nuk është një veprim kundër institucionit, por investimi më i rëndësishëm për ta bërë atë më të fortë, më transparent dhe më të besueshëm për qytetarët.

Në fund të takimit, ministri rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Ministrisë së Punëve të Brendshme për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, duke e cilësuar integritetin si themelin e besimit të qytetarëve te institucionet dhe si një nga garancitë kryesore për suksesin e rrugës evropiane të Shqipërisë.

“Jam i bindur se me profesionalizëm, vendosmëri dhe përgjegjësi, AMP do të vazhdojë të japë kontribut të rëndësishëm në forcimin e shtetit të së drejtës dhe në rrugën e pakthyeshme të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian” përfundoi ministri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme