Ankthi dhe frika pushtojnë “Golden Globes”,  DiCaprio favorit absolut, të hënën shpallen nominimet

Film | 10 muaj më parë

Sezoni i madh i çmimeve kinematografike nis zyrtarisht këtë të hënë, më 8 dhjetor, me shpalljen e nominimeve për “Golden Globes”. Sipas kritikëve dhe vëzhguesve të industrisë, këtij viti i mungon shkëlqimi i zakonshëm i komedive romantike, duke u zëvendësuar nga një valë prodhimesh që eksplorojnë ankthin, frikën dhe pasigurinë njerëzore.

Në krye të listës së pretendentëve qëndron “One Battle After Another”. Filmi, i cili pritet të dominojë kategoritë e aktrimit, regjisë dhe skenarit, sjell një Leonardo DiCaprio në formën e tij më të mirë. Ai portretizon një revolucionar të pafat, të përfshirë në intriga të errëta politike, i rrethuar nga personazhe femërore të fuqishme dhe komplekse. Për të rritur edhe më shumë interesin para ceremonisë, filmi do të rikthehet ekskluzivisht në ekranet IMAX më 11 dhjetor.

Konkurrenca e fortë dhe zhanri horror

Joachim Trier pritet të jetë rivali kryesor me “Sentimental Value”, një dramë psikologjike që vë përballë Renate Reinsve dhe Elle Fanning në një histori familjare të mbushur me tensione. Surpriza e vitit vjen nga “Sinners” i Ryan Coogler. I publikuar në prill, ky film ka arritur të mbetet në kujtesën e votuesve duke përzier mjeshtërisht tmerrin e mbinatyrshëm (vampirët) me tmerret reale historike të epokës “Jim Crow”.

Nuk mbeten pas as prodhimet “Hamnet” dhe muzikali “Wicked: For Good”, ndërsa fenomeni i Netflix, “KPop Demon Hunters”, pritet të rrëmbejë vëmendjen në kategoritë e animacionit apo muzikës.

Edhe në ekranin e vogël, tema dominuese është paranoja. Seriali “Severance” rikthehet si favorit për të ilustruar tmerrin e botës së korporatave, ndërsa “Adolescence” e Netflix dhe dramat apokaliptike si “The Last of Us” dhe “The Pitt” pritet të dominojnë listat.

Veteranët e çmimeve si “The White Lotus” dhe “The Bear” mbeten të palëkundur, por vëmendja është te risitë që reflektojnë gjendjen aktuale të shoqërisë.

Nominimet do të shpallen të hënën. Ceremonia e madhe, e cila do të drejtohet nga komediania Nikki Glaser, është planifikuar për të dielën, më 11 janar 2026.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme