Apelimi i vendimit të ‘Speciales’/Qeveria e Kosovës krijon grupin e punës për mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së
Kryeministri Albin Kurti bëri të ditur vendimin e miratuar nga qeveria e Kosovës për krijimin e grupit të punës për bashkërendimin e mbështetjes juridike, institucionale dhe diplomatike për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në procedurat e Apelit. Ai përsëriti se vendimi i shkallës së parë është i padrejtë, duke theksuar nevojën për një strategji shtetërore dhe kombëtare për procesin në Apel që tejkalon dallimet partiake dhe bashkon institucionet rreth një qëllimi të përbashkët, suksesin.
“Sot po themelojmë grupin punues të kryesuar nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Glauk Konjufca, me përfaqësim institucional dhe parlamentar për të bashkërenduar mbështetjen juridike, institucionale dhe diplomatike në funksion të procedurave të Apelit. Me këtë vendim po e konkretizojmë zotimin tonë që, me mjetet të cilat i kemi në dispozicion, të angazhohemi për drejtësi dhe për mbrojtjen e të vërtetës historike të luftës sonë çlirimtare”, tha ai.
Pasi mirëpriti vendimin e qeverisë, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu bëri me dije se një përfaqësues i Kryesisë së Kuvendit do të jetë pjesë e grupit të punës për hartimin e strategjisë shtetërore në mbështetje të 4 ish- krerëve të UÇK-së në Apel.
Më 16 shtator Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dënuan me gjithsej 81 vite burg ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Jakup Krasniqi e Kadri Veseli dhe ish-deputetin Rexhep Selimi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




