Atentati ndaj zyrtarit të BDI-së, arrestohet gruaja e mjekut Zekirija Shaini për tentativë vrasjeje

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se është arrestuar gruaja e mjekut Zekirija Shaini, njëherësh edhe zyrtar i BDI-së lidhur me atentatin për vrasje ndaj këtij të fundit.
Sipas autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, në pranga është vendosur bashkëshortja e Shainit me iniciale A.A. (43-vjeçare) nga Tetova, e dyshuar për përfshirje në tentativën për vrasjen e bashkëshortit të saj, mjekut Zekirija Shaini (43 vjeç) nga fshati Sllupçan, Likovë.
Gjithashtu MPB-ja theksoi se është shpallur në kërkim të L.F. (36-vjeçar) nga Gostivari, i dyshuar për atentatin me armë drejt mjekut Shaini.
Sipas MPB-së, më 07.10.2025, policia e Stacionit Policor të Kumanovës kreu arrestimin e A.A. për shkak të dyshimeve të bazuara për përfshirjen e saj në këtë ngjarje.
Gjithashtu, gjashtë persona janë marrë në pyetje për intervistim në stacionin policor të Kumanovës, ndërsa në shtëpinë e B.S. (50) nga Kumanova është kryer bastisje me urdhër gjyqësor.
“Pas dokumentimit të plotë të rastit, kundër A.A. do të parashtrohet kallëzim penal i përshtatshëm, ndërsa kundër L.F., i cili dyshohet për tentativë vrasjeje dhe është ende në arrati, po ashtu do të paraqitet kallëzim penal pas konsultimit me Prokurorinë Themelore,” thanë nga MPB.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




