Athinë, temperaturat përvëluese ”mbyllin” Akropolin

Akropoli i Athinës, vendi më i vizituar në Greqi, u mbyll mesditën e së mërkurës për publikun, në orët më të nxehta të ditës.
”Ministria e Kulturës bën me dije se zona arkeologjike e Akropolit do të jetë e mbyllur nga ora 12:00-17:00”, njoftoi ministria, pasi temperaturat mund të arrijnë deri në 43 gradë Celsius.
Vala e të nxehtit, e para e vitit në vend, pritet të zgjasë deri të enjten.
Ministria e Mbrojtjes Civile paralajmëroi për një rrezik shumë të lartë zjarresh, veçanërisht në rajonin e Atikës, ku ndodhet Athina.
Në disa zona, përfshirë edhe kryeqytetin, shkollat do të qëndrojnë të mbyllura deri të enjten, ndërsa Ministria e Punës ka rekomanduar punën online për punonjësit publikë.
Ata që punojnë jashtë këshillohen gjithashtu të përdorin pajisje mbrojtëse personale dhe të shmangin punën gjatë orëve të pikut, nga mesdita deri në orën 17:00.
Shërbimet e ambulancës dhe autoritetet mjekësore janë paralajmëruar nga Ministria e Shëndetësisë për të qenë në gatishmëri.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




