Banorët e Rrjollit në Velipojë vijojnë protestat: Nuk ikim nga këtu pa marrë tokën tonë
Banorët e Rrjollit vijojnë me protestat e tyre kundër ndërtimit të resortit turistik në zonën e Velipojës. Ata janë ngritur edhe këtë të shtunë në sheshin ku mjetet kanë nisur punën për ndërtimin e resortit, duke bllokuar rrugën e makinerive, këtë herë edhe me praninë e grave dhe fëmijëve.
Në një moment, ata kanë qëlluar me gurë, duke u kërkuar drejtuesve të mjeteve të zbresin dhe të mos nisin punën. Forcat e policisë janë të pranishme dhe po përpiqen të shuajnë tensionet.
“Nuk po na sqaron askush si do ta zgjidhim këtë punë. Por lodhen kot sepse deri në vdekje do jemi këtu”, tha një banor.
“I bëjmë thirrje shtetit të na ndihmojë sepse nuk ikim nga këtu pa marrë tokën. Të vijnë të merren vesh me ne, ose do vdesim këtu të gjithë”, u shpreh një tjetër.
“Në këtë protestë do të ketë çdo ditë edhe gra e fëmijë. Deri tani kemi kërkuar të ulemi në një tryezë dhe ta zgjidhim, por asnjë institucion nuk na ka dhënë zgjidhje, ndaj nuk ka mbet gjë tjetër vetëm që burra, gra e fëmijë të vijmë këtu për të mbrojtur tokën tonë. Këtë vend nuk e lëshojmë”, tha një tjetër banor.
Rreth 60 familje të Baks- Rrjoll pretendojnë pronësinë e tokës, sipas tyre pronë e trashëguar që nga hera nga paraardhësit. Ata kanë depozituar një kërkesë zyrtare në Prokurori, ku kërkojnë një zgjidhje sa më të shpejtë ligjore lidhur me vërtetësinë e dokumenteve që disponojnë për pronësinë e tokës në zonën e Rrjollit, aty ku po ndërtohet resorti turistik.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




