BE në Kosovë thirrje partive politike: Siguroni votim paqësor dhe proces demokratik gjithëpërfshirës

Kosovë | 4 muaj më parë

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike dhe përfaqësuesve të tyre në organet zgjedhore që të kontribuojnë në zhvillimin e një procesi zgjedhor të qetë, demokratik dhe gjithëpërfshirës, në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbahen më 7 qershor.

Përmes një deklarate publike, BE-ja theksoi rëndësinë e respektimit të standardeve demokratike gjatë procesit të votimit, duke nënvizuar se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë themel për forcimin e institucioneve dhe avancimin e Kosovës në rrugën e integrimit evropian.

“Në prag të zgjedhjeve të parakohshme, BE-ja në Kosovë u bën thirrje të gjitha subjekteve politike dhe përfaqësuesve të tyre në organet zgjedhore që të sigurojnë një votim paqësor, të lirë, të drejtë dhe gjithëpërfshirës. Themelimi i institucioneve të Kosovës dhe integrimi i saj në BE janë thelbësore”, thuhet në mesazhin e Zyrës së Bashkimit Evropian.

Qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit të dielën për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit dhe qeverinë e ardhshme të vendit. Institucionet zgjedhore kanë përfunduar përgatitjet e fundit për organizimin e procesit, ndërsa vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe pjesëmarrjes së diasporës.

Që nga ora 07:00 e mëngjesit të sotëm, 17 ambasada dhe 13 konsullata të Kosovës në 18 shtete kanë hapur qendrat e votimit për qytetarët e regjistruar që kanë zgjedhur të votojnë fizikisht në përfaqësitë diplomatike. Procesi i votimit në këto qendra do të zgjasë deri në orën 19:00.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gjithsej 27 mijë e 724 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar në 30 përfaqësi diplomatike dhe konsullore jashtë vendit.

Ndërkohë, sot përfundon edhe afati për votimin përmes postës, një formë votimi që është zgjedhur nga më shumë se 104 mijë qytetarë të regjistruar jashtë Kosovës. Ky numër konsiderohet një nga më të lartët e pjesëmarrjes së diasporës në proceset zgjedhore të vendit.

Pas mbylljes së votimit në ambasada, konsullata dhe përmes postës, të gjitha fletëvotimet do të transportohen në Kosovë, ku do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit dhe numërimit nga autoritetet përgjegjëse zgjedhore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme