Biden i kërkoi të tërhiqej nga gjyqësori, përgjigjet Netanjahu: Nuk marr vendime mbi bazën e presionit

Botë | 4 vite më parë

Kryeminstri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka hedhur poshtë thirrjen e presidentit amerikan, Joe Biden për heqjen dorë nga reforma e propozuar në gjyqësor që ka shkaktuar protesta masive në Izrael.

Netanjahu tha si përgjigje se ai “nuk i merr vendimet mbi bazën e presionit të jashtë”.

Të hënën që lamë pas, kryeministri izraelit shtyu miratimin e propozimit pasi një numër i madh njerëzish dolën në rrugë në shenjë proteste. Fillimisht, Shtëpia e Bardhë sugjeroi se Netanjahu duhet të kërkonte një kompromis, por më pas presidenti amerikan vijoi më tej duke thënë për gazetarët se shpresonte që të hiqte dorë nga reforma.

“Si shumë mbështetës të fortë të Izraelit, jam shumë i shqetësuar. Ata nuk mund të vijojnë në këtë rrugë dhe pak a shumë e kam bërë këtë të qartë”, u shpreh Biden gjatë një vizite në Karolinën e Veriut, ku bëri të ditur se nuk po shqyrtonte mundësinë ta ftonte liderin izraelit në Shtëpinë e bardhë, të paktën jo në të ardhmen e afërt.

Më herët, ambasadori amerikan në Izrael, , ishte shprehur për një radio lokale se Netanjahu pritet të ftohej në Uashington sapo të koordinoheshin axhenda e tij me atë të Biden.

Pas deklaratës së presidentit amerikan, Netanjahu publikoi një deklaratë ku theksoi se Izraeli ishte një vend sovran që merrte vendimet e tij mbi bazën e vullnetit të populllit e tij, dhe jo mbi bazën e presioneve nga jashtë, qofshin këto edhe nga miqtë më të mirë. 

“E njoh presidentin Biden prej më shumë se 40 vitesh dhe vlerësoj angazhimin e tij për izraelin”, vijoi më tej Netanjahu, duke shtuar se aleanca Izrael- SHBA mbetej e pathyeshme dhe se gjithmonë ia dilte të tejkalonte mosmarrëveshjet e rastit.

Administrata ime është e angazhuar të fuqizojë demokracinë duke rikthyer ekuilibrin e duhur mes tre pushteteve, tha ai.

Mbrëmjen e së martës, qeveria e ekstremit të djathtë dhe partitë opozitare mbajtën takimin e parë mes tyre në lidhje me reformën e propozuar në gjyqësor. Prej disa muajsh, qindra mijëra izraelitë kanë protestuar kundër ndryshimeve të planifikuara në gjyqësor që pritet t’u japin partive që qeverisin vendin më shumë pushtet ndaj gjyqësorit.

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme