Bllokojnë ndihmat për Ukrainën, Biden kritikon republikanët. U thotë se po i jepni dhuratën më të bukur Putinit

Botë | 3 vite më parë

Presidenti amerikan Joe Biden u bëri thirrje republikanëve të miratojnë propozimin për ndihma të reja ushtarake për Ukrainën, duke paralajmëruara se një fitore e Rusisë ndaj Ukrainës do të krijonte kushtet që Moska më pas të sulmonte aleatët e NATO-s. “Sinqerisht, unë mendoj se është befasi se si kemi arritur në këtë pikë në radhë të parë”, tha ai.

Lideri amerikan tha se udhëheqësit e Kongresit janë “të gatshëm t’i japin Putinit dhuratën më të madhe për të cilën mund të shpresonte ai dhe të braktisin udhëheqjen globale të SHBA-së”. 

“Kush është i përgatitur të largohet nga mbajtja e Putinit përgjegjës? Kush është i përgatitur ta bëjë këtë?”, pyeti Biden.  “Nëse Putini e merr Ukrainën, ai nuk do të ndalonte aty”, Putini do të sulmonte më pas një aleat të NATO-s dhe do të na detyronte të “dërgonim trupa amerikane për të luftuar kundër trupave ruse”, shtoi Presidenti Biden. 

Presidenti Biden i bëri komentet ndërsa Shtetet e Bashkuara po planifikojnë të njoftojnë dhënien e një ndihme shtesë prej 175 milionë dollarësh për Ukrainën.

Por, republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat mbështesin përpjekjet e reja për ndërtimin e një muri kufitar, një nga objektivat kryesor të ish Presidentit Trump, dhe ndryshimin e politikave të azilit, duke detyruar azilkërkuesit që të presin në Meksikë ndërsa zyrat e imigracionit shqyrtojnë kërkesat e tyre për strehim në Shtetet e Bashkuara.

Biden ka thënë se ai është i gatshëm të bëjë kompromise “të mëdha” rreth çështjes së kufirit që republikanët të miratojnë buxhetin për Ukrainën, por theksoi se ata nuk do të marrin të gjitha gjërat që i kërkojnë. “Këto janë negociata”, tha ai.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme