Dalin pamjet e kamerave të sigurisë/ Momenti kur autori i dyshuar i rrëmbimit të 34-vjeçarit hyn dhe del në vendin ku ndodhi ngjarja

Aktualitet | 4 muaj më parë

Ky është momenti kur Armand Shakaj hyn dhe del në një ambient në zonën e “5 Majit” në kryeqytet, ku dyshohet se ka marrë peng 34-vjeçarin Eglant Koçi, i cili rezulton i zhdukur prej 4 qershorit dhe më pas largohet me një motomjet. Gazetarja Flutura Tota ka siguruar për RTSH pamjet nga kamerat e sigurisë, në të cilat shfaqet Shakaj, i dyshuar si autori kryesor i rrëmbimit dhe zhdukjes së 34-vjeçarit Koçi.

Shakaj hyn në këmbë dhe më pas largohet me motomjetin e Eglant Koçit.

Një ditë parë policia njoftoi se ka arritur të gjejë motorin e 34-vjeçarit të zhdukur dhe vendin ku ai është mbajtur.

Eglant Koçi është zhdukur më 4 qershor, dhe për herë të fundit është parë në zonën pranë sheshit “Wilson” në kryeqytet, teksa po lëvizte me motorin e tij me targa “CT969”. Policia ka arritur të gjejë nga kamerat e sigurisë edhe disa episode të lëvizjes së tij me motor nëpër Tiranë.

Koçi nuk rezulton me precedent penal, dhe mbetet i paqartë konflikti. Ai rezultonte i punësuar në një biznes mobilierie, por dyshohet se mund të jetë përfshirë në tregti të kriptovalutave, një prej pistave ku po hetohet.

Ndërkohë policia ka arrestuar Enea Zyferin, kamerierin e lokalit në pronësi të Armand Shakajt. Zyferi u arrestua nga policia e Tiranës për përkrahje të autorit të krimit. Ky i fundit në sallën e gjyqit këtë të mërkurë ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen, teksa gjykata e la në burg.

Prokurori i çështjes kërkoi që 25-vjeçari të lihej në qeli për një afat të pacaktuar, deri në kryerjen e plotë të hetimeve dhe deri sa të zbardhet e gjithë dinamika e ngjarjes.

Eglant Koçi u denoncua i zhdukur nga familjarët, ndërsa ka dyshime se ai është rrëmbyer, është mbajtur peng dhe është vrarë.

Nga provat e grumbulluara deri më tani nga grupi hetimor, rrethanore dhe shkencore ka dyshime se 34-vjeçari mund të jetë vrarë dhe me pas trupi të jetë zhdukur.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme