Debat për emrin e këngës labe, studiuesit kërkojnë ruajtjen e identitetit të trashëgimisë kulturore
Studiues, muzikologë dhe interpretues të këngës labe kundërshtojnë përdorimin e termit “isopolifoni” duke kërkuar që ajo të prezantohet me emrin e saj tradicional si kënga labe. Sipas tyre, bëhet fjalë për mbrojtjen e identitetit historik e kulturor dhe jo për një debat mes individësh.
Përfaqësuesit e nismës theksojnë se termi “isopolifoni” u përdor në procesin e regjistrimit në UNESCO, por emërtimi kënga labe është shumë më i hershme dhe nuk kufizohet vetëm te isoja. Ata u bëjnë thirrje institucioneve të dëgjojnë komunitetin dhe të mbrojnë autenticitetin e kësaj pasurie shpirtërore.
“Kënga labe ka lindur nga nëna labëri. Si do i them unë ndryshe? Ne jemi rritur me atë. Po dhe këta që bëjnë shkollën e studiojnë, studiojnë neve, po jo të na shkatërrojnë neve”, deklaroi këngëtari Berdo Berdaj.
Ago Nezha, kryetar i Shoqatës “Labëria”, thotë se termi “isopolifoni” është përdorur vetëm për regjistrimin në UNESCO, ndërsa kënga labe është shumë më e lashtë dhe përfaqëson traditën autentike të Labërisë.
“Po ky është një problem shumë i madh. Është një problem i madh atdhetar shtetëror. Ramadan Sokoli, Tish Daija, Benjamin Kruta, Alfred Vuçi e kanë përcaktuar në mënyrë krejtësisht transparente çështë polifonia dhe kush futet në polifoni”, tha Kryetar i shoqatës “Labëria” Ago Nezha.
Kënga labe është krijim i vetë popullit dhe debati për emërtimin është një çështje e mbrojtjes së identitetit kulturor dhe kombëtar.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




