Debati për rritjen e pagave të gjyqtarëve, Shoqata e Prokurorëve: Retorikat që synojnë të kthejnë opinionin kundër, s’i shërbejnë shtetit të së drejtës

Shoqata e Prokurorëve ka dalë me një reagim zyrtar mbi debatin publik të ditëve të fundit mes Kryeministrit Edi Rama dhe Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve mbi kërkesën e këtyre të fundit për rritje pagash.
Teksa i bashkohet qëndrimeve publike të artikuluara nga Shoqata e Gjyqtarëve dhe duke argumentuar se këta të fundit se kërkesat e tyre janë të argumentuara në mënyrë shteruese, Shoqata e Prokurorëve nënvizon se çdo ndryshim ligjor që sjell ulje të pagave të magjistrave përbën cenim të garancive kushtetuese.
Sipas tyre, gjykimi kushtetues i inicuar nga shoqatat e gjyqtarëve duhet të përfundojë i pandikuar nga çdo presion i jashtëm apo instrumentalizim i opinionit publik.
“Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të zhvillimeve të fundit dhe debatit publik rreth gjykimit kushtetues mbi pagat e magjistratëve, në përmbushje të misionit dhe veprimtarisë së saj, e konsideron të domosdoshme të shprehë një qëndrim zyrtar në funksion të mbrojtjes së parimeve të shtetit të së drejtës dhe pavarësisë së sistemit të drejtësisë.
Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë vlerëson se debatet publike për çështje që lidhen me sistemin e drejtësisë duhet të zhvillohen në mënyrë të përgjegjshme, të balancuar dhe me respekt për rolin kushtetues të magjistratëve. Çdo formë retorike që synon të kthejë opinionin publik kundër magjistratëve nuk i shërben forcimit të shtetit të së drejtës.
Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë i bashkohet qëndrimeve publike dhe kërkimeve të argumentuara tashmë në mënyrë shteruese nga shoqatat e gjyqtarëve përpara Gjykatës Kushtetuese. Theksojmë se çdo ndryshim ligjor që passjell regres në standardet e njohura më parë dhe ulje të pagave të magjistratëve, përbën cenim të garancive kushtetuese.
Në një shtet demokratik dhe të së drejtës, pavarësia e Gjykatës Kushtetuese dhe e sistemit të drejtësisë në tërësi përbën një parim themelor, i cili duhet të respektohet nga të gjithë aktorët institucionalë dhe publikë, veçanërisht në faza të ndjeshme përpara vendimmarrjes. Në këtë kontekst, gjykimi kushtetues i inicuar nga shoqatat e gjyqtarëve duhet të përfundojë i pandikuar nga çdo presion i jashtëm apo instrumentalizim i opinionit publik.
Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë shpreh besimin e saj të plotë në Gjykatën Kushtetuese si autoriteti i vetëm legjitim për të dhënë fjalën përfundimtare në këtë proces, si dhe mbështet çdo përpjekje institucionale dhe civile që synon forcimin e rendit kushtetues, pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe mbrojtjen e standardeve demokratike në vend”, thuhet në deklaratë.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratave të artikuluara mbrëmjen e djeshme (3 shkurt) nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të cilët i konsideruan deklaratat e Kreut të Këshillit të Ministrave mbi rritjen e pagave të tyre, si “tymnajë populiste”.
Rama e ka cilësuar si të papranueshëm reagimin e tyre, dhe si një tentativë për t’ju imponuar Parlamentit dhe Qeverisë përmes pushtetit gjyqësor, me qëllimin e vetëm rritjen e pagave për veten e tyre.
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve reagoi mbrëmjen e djeshme pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama se gjyqtarët po kërkojnë rritjen e pagave të tyre, një kosto që sipas tij do t’i kushtonte buxhetit të shtetit 37 milionë euro.
Në reagimin e saj, Shoqata e Gjyqtarëve e cilësoi këtë fushatë si një “tymnajë populiste”, e cila, sipas tyre, synon linçimin e gjyqtarëve dhe shoqatave të tyre në lidhje me një proces gjyqësor kushtetues që ndodhet në fazën e vendimmarrjes përfundimtare në Gjykatën Kushtetuese.
Shoqata thekson se nuk ka për qëllim rritjen e pagave, por mbrojtjen e nenit 138 të Kushtetutës, i cili garanton se paga dhe përfitimet e gjyqtarëve nuk mund të ulen. Në reagim akuzohet për ndërhyrje të përsëritura të qeverisë dhe Kuvendit që prej vitit 2016 që, sipas tyre, kanë cenuar statusin financiar dhe pavarësinë e magjistratëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



