Dhjetëra të plagosur nga sulmet me raketa në Kiev

Botë | 3 vite më parë

Mbetjet e raketave ruse të rrëzuara prej mbrojtjes ajrore ukrainase, kanë dëmtuar një spital dhe një ndërtesë banimi në kryeqytetin ukrainas Kiev, duke plagosur të paktën 50 persona, kanë thënë autoritetet e qytetit, njofton Radio Evropa e Lirë.

Sulmi ka ndodhur ndërsa presidenti i shtetit, Volodymyr Zelensky ka qenë jashtë vendit, në një vizitë në Uashington, ku presidenti amerikan, Joe Biden, ka paralajmëruar që Rusia po pret që Shtetet e Bashkuara ta braktisin Ukrainën.

Kjo shifër përbën numrin më të madh të të plagosurve në Kiev, në muajt e fundit.

Sergiy Popko, udhëheqës i administratës ushtarake të qytetit, ka thënë se 51 persona janë plagosur, përfshirë gjashtë fëmijë.

Mbrojtja ajrore ukrainase ka thënë se Rusia i ka nisur 10 raketa drejt Kievit, të cilat janë rrëzuar.

Gazetarët kanë raportuar për shpërthime dhe lëshim të sirenave.

Kryetari i Kievit Vitali Klitschko, ka thënë se si pasojë e mbetjeve të raketave është dëmtuar edhe një rrjet i furnizimit me ujë.

Një ushtar ukrainas ec përgjatë vijë së pemëve në një fushë me baltë.

Lufta e plotë e Rusisë në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Sipas Radio Evropa e Lirë

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme