Dita botërore e AIDS, OKB: 9.2 milionë të infektuar nuk kanë qasje në trajtim jetëshpëtues

Një raport i ri i Programit të Kombeve të Bashkuara për HIV-AIDS tregon se SIDA-s mund t’i jepet fund si një kërcënim për shëndetin publik deri në vitin 2030, vetëm nëse komunitetet në vijën e parë marrin mbështetjen e plotë që u nevojitet nga qeveritë dhe donatorët.
Përfaqësuesja ekzekutive e këtij programi u shpreh se “çdo minutë SIDA merr një jetë, çdo javë 4000 vajza adoleshente dhe vajza të reja infektohen rishtazi nga HIV-i dhe ende 9.2 milionë njerëz në mbarë botën që jetojnë me këtë virus nuk kanë qasje në një trajtim që shpëton jetë.”
Çdo vit që nga viti 1988, më 1 dhjetor, organizohet Dita Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS. Tema e këtij viti është “mbaj mend dhe përkushtohu”.
Kjo ngjarje vjetore shërben si një kujtesë për luftën globale lidhur me HIV-in, një mundësi për të nderuar ata që kanë humbur jetën dhe një thirrje për të punuar drejt një dite kur kjo sëmundje të mos jetë më një kërcënim për shëndetin publik.
Gjatë 35 viteve ka pasur përparim të rëndësishëm në trajtimin e HIV falë evolucionit në kërkimin mjekësor, rritjes së aksesit në trajtim e parandalim dhe njohurive më të gjera rreth virusit.
Dita Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS-it simbolizohet nga fjongoja e kuqe e cila bashkon njerëzit në luftën e përbashkët ndaj kësaj sëmundjeje.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




