Dita e 8-të e protestës në Tiranë, marshime, bomba molotov nga protestuesit, policia me gaz lotsjellës, bilanci i të lënduarve
Dita e tetë e protestave në kryeqytet u shoqërua sërish me tensione dhe përplasje mes manifestuesve dhe forcave të rendit, por me një intensitet më të ulët goditjesh direkte krahasuar me ditët e mëparshme. Institucionet kryesore përgjatë bulevardit kishin marrë masa paraprake mbrojtëse, përfshirë blindimin e dritareve me panele metalike për t’iu bërë ballë sulmeve të mundshme.
Protesta nisi fillimisht kur pedagogë e studentë u mblodhën fillimisht para Universitetit Politeknik të Tiranës dhe me pas vijuan marshimin me moton “Stop dhunës ndaj studentëve”, para Kryeministrisë. Gjithashtu nga ana e pedagogëve është bërë edhe një peticion, ku bëhet thirrje që të dëgjohen kërkesat e studentëve.
Rreth orës 15:30, ku pas një marshimi përgjatë Rrugës së Durrësit, Bankës së Shqipërisë dhe Katedrales Orthodokse, protestuesit u grumbulluan në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Për rreth dy orë, situata i përngjau një manifestimi paqësor. Ndryshimi i situatës erdhi me zbritjen e errësirës, kur në shesh u shfaqën persona të maskuar dhe u hodhën shishet e para Molotov e gurë drejt kordonit policor.
Forcat e Policisë së Shtetit ndërhynë menjëherë duke përdorur ujë me presion dhe gaz lotësjellës pas apelit në megafon për largimin e grave dhe fëmijëve. Ndërhyrja e policisë e fragmentoi turmën, e cila u shpërndarë në disa drejtime:
Sheshi “Skënderbej”, u kthye për disa minuta në një vatër përplasjeje, ku protestuesit qëlluan me breshëri fishekzjarresh ndaj policisë, e cila iu përgjigj sërish me lëndë lotësjellëse.
Grupe të rinjsh të maskuar lëvizën drejt Rrugës së Elbasanit dhe Parkut Rinia, duke vendosur pengesa për të bllokuar qarkullimin e mjeteve.
Vëmendja e forcave të rendit u përqendrua te kryqëzimi pranë Piramidës, ndërsa pranë godinës së Kuvendit u vendos një kordon i fortë sigurie për të blinduar të gjitha rrugët hyrëse.
Aksioni policor vijoi deri në orët e vona me patrullime në rrugë, shoqërime personash dhe kontrolle brenda ambienteve të bareve.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga strukturat spitalore deri në orën 21:00, gjashtë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e ngjarjeve. Spitali Universitar i Traumës (SUT) ka trajtuar 5 persona, mes të cilëve 4 kalimtarë, njëri prej të cilëve deklaron se është lënduar dje gjatë protestës ku njëri u shtrua për ekzaminime të mëtejshme, si dhe 1 efektiv policie i lënduar gjatë detyrës.
Qendra Spitalore Universitaria “Nënë Tereza” (QSUNT) ka trajtuar “1 protestuese, e cila u largua pasi mori mjekimin” e nevojshëm.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




