Do merrte hak për vëllain e vrarë, kapet në Kurbin 37-vjeçari me armë dhe makinë të blinduar (Video)

Aktualitet | 53 minuta më parë

Policia e Lezhës ka parandaluar një vrasje të dyshuar për motive hakmarrjeje, në lidhje me ekzekutimin e 40-vjeçarit Ilir Gjini, alias Lika, alias Kokaj, alias Nure, ngjarje e ndodhur më 9 korrik 2026 në Kurbin.

Në kuadër të operacionit të koduar “Argos”, në Fushë-Milot u arrestua 37-vjeçari Emanuel Gehard, alias Basha, alias Lika, vëllai i viktimës, i cili dyshohet se lëvizte i armatosur me një automjet të blinduar dhe me targa gjermane.

Sipas Policisë, 37-vjeçari, banues në Kurbin dhe me precedentë kriminalë, u ndalua teksa drejtonte një automjet tip “Mercedes-Benz ML”. Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjet një armë zjarri automatike tip “Skorpion”, me një krehër me 16 fishekë luftarakë.

Policia bën me dije se operacioni u zhvillua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Seksionin Operacional të Hetimit dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, pas monitorimit të vazhdueshëm të situatës kriminale dhe analizimit të ngjarjeve të mëparshme.

Në njoftim thuhet se ndërhyrja synonte parandalimin e një ngjarjeje të rëndë kriminale, për të cilën dyshohet se motivi ishte hakmarrja për vrasjen e 40-vjeçarit. Gjatë operacionit, përveç armës dhe municionit, u sekuestrua edhe automjeti i blinduar.

Ndërkohë, vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit të vrasjes së 40-vjeçarit, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme