E drejta për abort, sfidë në BE – Kërkohet përfshirja e saj në Kartën e të Drejtave Themelore, por ipeshkvët e vendeve të bllokut e kundërshtojnë

Deputetët e parlamentit evropian pritet të votojnë të enjten për një rezolutë e cila bën thirrje që e drejta për abort të përfshihet në kartën evropian të të drejtave themelore, duke ndjekur kështu shembullin e Francës i cili u bë vendi I parë në botë që këtë të drejtë e ka bërë pjesë të kushtetutës së saj.
“Gratë nuk duhet të ndalohen të marrin vendime për shëndetin dhe jetët e tyre”, u shpreh euro deputeti polak Robert Biedron nga grupi parlamentar i social-demokratëve, i cili, në seancën e debatit mbajtur në datën 14 mars, i bëri thirrje komisionit evropian që të punojë për një Kartë të të drejtave të grave. Në vendin e tij, Poloni, aborti është i paligjshëm përveç rasteve kur shtatzënia është rezultat I një akti kriminal ose kur ajo rrezikon jetën ose shëndetin e gruas. Kryeministri polak Donald Tusk, që mori detyrën në dhjetor të vitit të shkuar, ndërkohë ka shpallur zbutjen e rregullave të abortit si prioritet por ndërkohë po përballet me kundërshti Brenda koalicionit qeveritar që ai drejton. Që aborti duhet të përfshihet në kartën evropiane të të drejtave themelore janë shprehur edhe euro deputetë të tjerë.
“Të vendosësh për trupin tënd është e drejtë themelore. Nuk mund të ketë barazi gjinore nëse gratë nuk marrin vendime të tilla”, u shpreh euro deputetja daneze Karen Melcior, pjesë e grupit parlamentar Reneë Europe që ka paraqitur iniciativën në parlament. Por Ipeshkvët e BE-së janë shprehur kundër kësaj iniciative. Në një letër të konferencës së ipeshkëve të Bashkimit Evropian theksohet se “një qenie njerëzore, në çdo situatë dhe fazë të zhvillimit, është e shenjtë dhe e padhunueshme, dhe nëse kjo bindje do të zhduket, do të zhduken edhe themelet e forta të mbrojtjes së të drejtave të njeriut”.
Sipas ipeshkëve, promovimi dhe lehtësimi i abortit shkon në drejtim të kundërt me provimimin e vërtetë të grave dhe të drejtave të tyre. Ndërsa përsëritën qëndrimin e kishës katolike ndaj abortit, ipeshkëve këmbëngulën se mbrojtja e një jete të pa lindur ka lidhje me mbrojtjen e çdo të drejte tjetër njerëzore.
Gazetare: E. Pepa
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




