E folura dhe përqendrimi i të vegjëlve, specialistët flasin për ndikimin e aparaturave elektronike
Zhvillimi i të folurit tek fëmijët e vegjël po përballet me një sfidë të re: teknologjinë.
Sipas ekspertëve, përdorimi i hershëm dhe i pakontrolluar i pajisjeve elektronike, si telefonat, tabletat apo televizorët, po ndikon negativisht në aftësitë komunikuese dhe zhvillimin emocional të fëmijëve.
Logopedja Arlinda Kastrati thotë se vitet e para të jetës janë thelbësore për formimin e të folurit dhe për aftësitë sociale të fëmijëve.
“Koha e kaluar para televizorit ndikon negativisht në zhvillimin gjuhësor te fëmijët. Ndikon edhe në shfaqjen e vonesave gjuhësore te këta fëmijë. Përgjithësisht fëmijët kthehen në dëgjues pasivë dhe nuk mësojnë një gjuhë e komunikim aktiv. Fëmijët që rrinë me orë të gjata përpara ekraneve televizive kanë një probabilitet dy herë më shumë për të shfaqur vonesa gjuhësore sesa fëmijët që i shmangin,” shpjegon znj. Kastrati.
Përveç të folurit, qëndrimi i gjatë para ekraneve është lidhur edhe me rënie të përqendrimit, probleme në sjellje dhe inteligjencë emocionale më të dobët.
“Preket inteligjenca emocionale, sepse fëmija nuk ka bashkëveprim. Nuk ka një komunikim ndërmjet dy personave, por vetëm nga njëra anë,” thotë logopedja.
Specialistët apelojnë për ndërgjegjësim më të madh nga ana e prindërve, duke nxitur më shumë ndërveprim të drejtpërdrejtë me fëmijët në vend të zëvendësimit të kohës së tyre me ekranet digjitale. Ata rekomandojnë aktivitete alternative, si leximi, lojëra me lodra edukative dhe kohe cilësore me familjen, si mënyra më efektive për zhvillimin e shëndetshëm të fëmijës.
Gazetare: Shkurte Elezaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




