Edi Rama për vizitën në Prishtinë: Një eksperiencë emocionale dhe inspiruese

Aktualitet | 8 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka përshkruar vizitën e tij në Prishtinë si shumë të veçantë, duke ndodhur në vigjilje të Ditës Kombëtare të Pavarësisë së Kosovës dhe pas zhvillimeve të rëndësishme në vend.

Vizita u bë me ftesë të profesor Ahmed Shala, për promovimin e librit të tij “Kur heshtja flet”, i cili trajton procesin në Hagë kundër udhëheqjes së UÇK-së.

Gjatë qëndrimit të tij, Rama zhvilloi takime pozitive me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti, duke diskutuar harmonizimin e angazhimeve ndërkombëtare dhe rritjen e bashkëpunimeve kombëtare.

“Shumë e veçantë ka qenë vizita e kësaj here në Prishtinë, në vigjiljen e ditës kombëtare të pavarësisë së Kosovës, pas bombës së prokurorëve të Hagës mbi Kosovën, si edhe po ashtu pas votëbesimit të qeverisë së re të Kosovës në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Sebepi i kësaj vizite ishte ftesa e një miku të kahershëm dhe burri fisnik nga prishtina  profesor Ahmed Shalës, në promovimin e librit të tij “Kur heshtja flet”, një libër që duhet lexuar për të mësuar më shumë dhe kuptuar më thellë mbi procesin në Hagë kundër udhëheqjes së UÇK-së.

Por takimet me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti ishin tejet pozitive, qoftë për nga këndvështrimi i harmonizimit të angazhimeve ndërkombëtare me Vjosën, qoftë për nga këndvështrimi i rritjes së bashkëpunimeve kombëtare me Albinin”, theksoi Rama.

Kryeministri u shpreh se vizita përfundoi me bashkëbisedimin me studentët e Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ dhe nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”, të cilët Rama i ftoi më pas në Tiranë për të vazhduar komunikimin.

Në vijim, Rama e përshkoi si emocionuese telefonatën e përvitshme nga Haga në 17 shkurt, gjatë së cilës dëgjoi zërin e Hashim Thaçi nga burgu.

“Qershia mbi tortë ishte bashkëbisedimi me studentët e Universitetit “Hasan Prishtina” dhe me nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”, të cilët i ftova me shumë kënaqësi në Tiranë për të vazhduar komunikimin tone të filluar më herët”, shprehet Rama.

Ndërsa të nesërmen, më 17 të shkurtit, telefonata e përvitshme e urimit të pavarësisë që marr nga Haga ishte posaçërisht emocionuese këtë herë, pas asaj çmendurie të prokurorisë speciale. Por zëri i Komandantit nga burgu i padrejtësisë ndërkombëtare ishte realisht, sinqerisht, më i qetë se asnjëherë. Në fillim e në fund të bisedës, Hashimi më përsëriti fjalinë: “Unë e kam fituar përjetë lirinë dhe kudo të ndodhem, atë nuk ma merr dot kurrë, askush”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme