Rama: Porti i ri në Porto Romano do ta çojë Shqipërinë në një nivel tjetër. Ka faktorë të jashtëm që duan ta pengojnë
Kryeministri Edi Rama reagoi gjatë një konference për shtyp në lidhje me zhvillimet e fundit për projektin e portit të ri në Porto Romano, duke shpjeguar arsyet e tërheqjes së kompanisë që kishte kaluar fazat e procedurës për ofertën finale.
Sipas Ramës, në momentin e fundit kompania vendosi të tërhiqet duke iu referuar situatës së krizës, ndërsa oferta financiare ishte e lidhur me tavanin e përcaktuar nga studimi i kompanisë ndërkombëtare Royal HaskoningDHV dhe nga kërkesat e vendosura në procedurën e hapur të qeverisë shqiptare.
Ai theksoi se nuk ka prova që kompania ka qenë nën presion të drejtpërdrejtë, por shtoi se i gjithë procesi është zhvilluar nën presione të vazhdueshme nga faktorë që sipas tij nuk kanë interes që projekti të realizohet me sukses. Rama mohoi gjithashtu pretendimet se ka pasur presion nga SHBA apo nga BE.
“Për sa i përket Porto Romanos për fat të keq ka ndodhur një koincidencë e pa shmangshme që momentin e fundit kompania që ka kaluar fazat dhe duhet të bënte ofertimin e fundit është tërhequr duke ju referuar situatës së krizës dhe duke qenë se oferta financiare duhet të ishte e lidhur me tavanin që ka vendosur studimi i bërë nga Royal HaskoningDHV, kompania më e madhe e botës për ndërtimet e porteve, aeroporteve dhe me tavanin e vendosur nga kërkesa për procedurën e hapur e vendosur nga qeveria shqiptare nuk kemi arsye që të shikojmë mbrapa, nuk kemi të dhëna që kompania është ndodhur nën ndonjë presion, por i gjithë procesi është zhvilluar nën presion. Jo nën presionin e SHBA siç thuhet pa asnjë argument sepse nuk ka pasur asnjë shqetësim të shprehur as nga SHBA, as nga BE dhe as nga askush por ka pasur presion të vazhdueshëm nga faktorë të tjerë të pa interesuar që ai port të jetë një histori suksesi”, u shpreh Rama.
Kryeministri kritikoi edhe qëndrimet kundër projektit, duke thënë se porti aktual në Durrës nuk ka kapacitetet e nevojshme për të shërbyer si nyjë strategjike për Korridorin VIII, pasi ndodhet në mes të qytetit dhe ka kufizime infrastrukturore.
Sipas tij, ndërtimi i portit të ri në Porto Romano do ta çonte Shqipërinë në një nivel tjetër logjistik dhe ekonomik, duke u lidhur me nyje të tjera strategjike si Porti i Thatë i Prishtinës dhe Shkupit, pjesë e rrjetit evropian të transportit.
“Kini parasysh që nga “A” kur disa thonë për çfarë duhet një port i ri se ne kemi portin tonë, atë kënetën në zemër të Durrësit, dhe e lidhnin idenë e portit të ri me shitjen e atdheut në duart e arabëve në fakt e vërteta është që përtej injorancës që është gjithmonë faktor në mënyrën si trajtohen çështjet këtu pavarësisht nga rëndësia që mund të kenë. Qysh në krye të herës ka pasur forca të interesuara që të mos ecte përpara projekti i portit të ri. Porti ekzistues nuk ka kapacitete për të qenë nyja strategjike dhe logjistike për korridorin e 8. Këtë e thonë të gjitha analizat e bëra, proceset e ndjekura dhe realiteti i thjeshtë se ai port është mes qytetit. Një nyje portuale në mes të qytetit nuk mund të ekzistojë pa llogaritur kapacitetet e portit ekzistues që janë krejt të papërshtatshme për të mbajtur të gjithë peshën e Korridorit të 8”, tha ai.
Rama shtoi se projekti i portit të ri ka rëndësi strategjike jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin, ndërsa theksoi se ka forca dhe interesa tregtare në vende të ndryshme që nuk e mirëpresin fuqizimin ekonomik dhe logjistik të shqiptarëve përmes zhvillimit të këtij korridori.
“Porti i ri si nyje lidhëse është një port që e çon Shqipërinë në një nivel krejt tjetër por jo vetëm Shqipërinë por çon shqiptarët në një nivel tjetër. Është një nyje e lidhur edhe më një nyjë tjetër strategjike siç është Porti i thatë i Prishtinës dhe është i lidhur edhe më një tjetër nyjë që është që është Porti i thatë i Shkupit. Nëse mendoni se ka nga ata që mezi po presin se shqiptarët të bëhen më të fortë ju siguroj që në një sër vendesh ka forca të cilat nuk e mirëpresin këtë. Kjo nuk ka lidhje me armiqësorë gjeopolitike vetëm por ka lidhje dhe me interesa tregtare të vendeve. Vet Korridori i 8 sot është pjesë e rrjetit evropian të transportit“, theksoi Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



