Ekzekutimi i 40-vjeçarit në Laç/ Policia zbulon detaje, autori me precedentë për kanosje e vjedhje, Forca Kombëtare e Sigurisë në aksion për kapjen e tij

Policia e Kurbinit ka zbuluar të tjera detaje për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së enjtes në qytetin e Laçit, ku u ekzekutua me armë zjarri 40-vjeçari Ilir Lika që rezulton dhe me 3 mbiemra të tjerë. Sipas burimeve zyrtare, autori i dyshuar i krimit është shtetasi Emiljan Suti, teksa për kapjen e tij është angazhuar Forca Kombëtare e Sigurisë.
Ndërkohë mësohet se Suti, gjithashtu 40 vjeç, nuk është një emër i panjohur për policinë. Ai rezulton me precedentë penalë për disa vepra, si kanosje, vjedhje e armëmbajtje pa leje.
Nuk dihet ende motivi i krimit që tronditi qytetin e Laçit, teksa si autori dhe viktima banonin në të njëjtën lagje dhe njiheshin mes tyre.
NJOFTIMI I POLICISË SË KURBINIT
Zbardhet dhe dokumentohet autorësia e vrasjes së kryer mbrëmjen e djeshme, në Kurbin. Identifikohet autori kryesor i dyshuar i krimit, një 40-vjeçar me precedent të theksuar kriminal, brenda dhe jashtë vendit. Vijojnë kontrollet intensive për kapjen e tij.
Si rezultat i hetimeve intensive dhe profesionale, të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, i përbërë nga ekspertë të strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe Komisariatit të Policisë Kurbin, nën drejtimin e Prokurorisë, menjëherë pas vrasjes me armë zjarri të shtetasit I. Gj., alias I. L., alias I. K., alias I. N., rreth orës 22:10 të datës 09.07.2026, në Kurbin, u bë i mundur identifikimi i autorit kryesor të dyshuar të këtij krimi.
Konkretisht, u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi E. S., alias A. S., 40 vjeç, banues në Laç.
Nga verifikimet rezultoi se 40-vjeçari ishte dënuar më parë me 5 vjet burgim për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”, si dhe ka precedent penal për armëmbajtje pa leje. Gjithashtu, rezulton i arrestuar në Belgjikë për vjedhje.
Për kapjen e 40-vjeçarit, në ndihmë të Policisë vendore janë angazhuar edhe shërbimet e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër. Kontrollet vijojnë intensivisht.
Ndërkaq, hetimet vazhdojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe ndalimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë ngjarje. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




