Ekzekutohet në Athinë biznesmeni grek! Viktima bënte tregti edhe me Shqipërinë

Greqi | 3 vite më parë

Është ekzekutuar në Athinë Kristos Jalias, një biznesmen i njohur në tregtinë e mishit dhe bojërave.

Atentati ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në zonën industriale të Athinës e quajtur Mandra, 20 km në veri-perëndim të kryeqytetit të vendit.

Policia thotë se ndaj viktimës u qëllua me breshëri kallashnikovi dhe në vazhdim makinës së viktimës iu vu zjarri.

Pak metra me tej u gjet e djegur edhe një automjet tjetër, brenda së cilës u gjet një kallashnikov. Dyshohet se automjeti është i autorëve të vrasjes së Jalias.

Sipas informacioneve të CNN Grek, autorët pasi kanë qëlluar viktimën, më pas i kanë vënë flakën makinës.

Sipas të njëjtave informacione, shtëpia e Christos Gialias ndodhet 100-200 metra nga vendi ku u vra.

Kallashnikovi i përdorur për vrasjen duket se është hedhur brenda makinës së burrit teksa ishte në flakë. Më pas vrasësit u larguan me një motoçikletë, të cilën autoritetet, sipas ERT, e gjetën të djegur pak kohë më vonë në zonën e Pachi Megaron.

Kristos Jalias ishte një biznesmen tepër i njohur në Greqi. Ai ishte një ndër tregtarët më të mëdhenj të mishit në Greqi. Ai kishte edhe një fabrike boje si dhe ka qenë president i ekipit të futbollit të Trikallas.

Ai ishte martuar me një grua shqiptare nga Elbasani dhe kishte me të një fëmijë. Bashkëshortja e parë e tij ishte ekzekutuar në mënyrë misterioze në vitin 2018 dhe autorët nuk janë gjendur kurrë.

Emri i Jalas është përfshirë edhe në Shqipëri në disa aktivitete tregtare, import-eksport mallrash tregtie nga vendet e Amerikës latine drejtë Shqipërisë me stacion ndërmjetës Athinën, tregti mishi, boje dhe blerje pronash.

Viktima ka qenë ortak jo zyrtar me Thimio Dobroniku, një shtetas shqiptar i ekzekutuar pak muaj më parë në Faliro të Athinës.

Dyshohet se pista kryesore është kontrabanda e cigareve dhe me gjasa autoret janë bandat e gjeorgjianëve që po ekzekutojnë gjithë eksponentët e mafies së trafikut të cigareve kontrabandë në Athinë.

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme