Festa e Birrës, mbyllet edicioni i 20-të në Korçë
Korça i ka dhënë fund edicionit të 20-të të Festës së Birrës, pas pesë netësh të mbushura me muzikë, argëtim dhe një pjesëmarrje të lartë të qytetarëve dhe turistëve vendas e të huaj.
Nata e fundit solli sërish një atmosferë festive në Polin e Eventeve, ku në skenë u ngjitën artistë të njohur të muzikës shqiptare.
Mbrëmja nisi me performancat e Rilind Alimanit dhe grupit Three Dots, duke vijuar me muzikë dhe këngë që mbajtën publikun të angazhuar përgjatë gjithë natës.
“Një festival si është festa e Birës së Korçës, të jem prezent është për mua një hap si artist i ri shumë i madh edhe është diçka shumë fantastike.”- u shpreh Këngëtari Rilind Alimani
Kulmi i mbrëmjes ishte performanca e Dafina Zeqirit, e cila u bë pjesë e Festës së Birrës për herë të parë. Artistja solli hitet e saj në skenën e Korçës, duke elektrizuar mijëra të pranishëm dhe duke mbyllur me spektakël edicionin jubilar.
Edicioni i 20-të u zhvillua për herë të parë në Polin e Eventeve, hapësira e re e krijuar nga bashkia Korçë për organizimin e aktiviteteve të mëdha kulturore dhe artistike. Me natën e fundit, Festa e Birrës mbylli një tjetër edicion të suksesshëm, duke lënë pas pesë netë festë, muzikë dhe emocione, ndërsa Korça konfirmoi edhe një herë vendin e saj si një prej destinacioneve kryesore të verës shqiptare.
Gazetare: G. Manushi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




