Festivali i 82-të i Filmit në Venecia, 92-vjeçarja Kim Novak merr çmimin “Luani i Artë” për karrierën

Në ditën e gjashtë të ngjarjes kinematografike, Kim Novak, e lindur më 1933, mori çmimin e “Luanit të Artë” për arritje gjatë jetës, dhe në sallë ajo u prit me duartrokitje që zgjatën për afro 8 minuta.
Ylli i Hollivudit dhe aktorja ikonë e regjisorit Alfred Hitchcock u ngjit në skenë për të tërhequr “Luanin e Artë” pas 40 vitesh tërheqjeje nga kinematografia dhe, mes emocionesh, e veshur me një fustan elegant të zi, falënderoi të pranishmit, por edhe prindërit që, siç u shpreh ajo, e mësuan të ishte vetë “kapitenia e anijes”.
Po ashtu, një tjetër aktor, por edhe producent, mundës dhe drejtues biznesi, Dwayne Johnson, u prit në tapetin e kuq të Venecias. I njohur si “The Rock”, aktori amerikan është protagonist i filmit “The Smashing Machine” (Makina Shkatërruese), një histori e vërtetë por rrëqethëse e Mark Kerr, kampion legjendar i mundjes që bëri histori në sportet luftarake.
Me po aq interes u pritën edhe dy seritë e filmit të Marco Bellocchio “Portobello – Enzo Tortora”, një antihero i pafajshëm, historia ligjore e një prej prezantuesve më të njohur të ekranit publik në Itali, RAI, që famën e arriti në vitin 1956 me emisionin “Campanile Sera”, të drejtuar nga Mike Bongiorno.
Gazetare: Melisa Shameti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




