Juria e Festivalit të 64 të Këngës në RTSH ka premtuar një përzgjedhje të drejtë dhe profesionale për çmimin e parë të këtij edicioni. Kryetari i jurisë, tenori me famë ndërkombëtare Ramë Lahaj, tha se anëtarët e jurisë janë angazhuar maksimalisht për të analizuar çdo krijim të paraqitur në festival.
“Përveçse këngët i kemi dëgjuar këtu në skenë, me jurinë jemi takuar disa herë për t’i rianalizuar dhe për të diskutuar për këngën më të bukur. Do të doja që ky festival të kthehet në motiv për kompozitorët e rinj, për tekstshkruesit e rinj dhe performuesit. Jam i lumtur që kemi këtë kualitet jo vetëm në aspektin e programit dhe këngëve, por edhe larmisë së jurisë,” u shpreh Lahaj.
Ai shtoi se ky festival duhet të shërbejë si nxitje për krijuesit e rinj që të sjellin më shumë këngë cilësore në skenën shqiptare.
“Një eveniment të tillë nuk e gjen kollaj, do i stimuloja të gjithë që të krijonin sa më shumë dhe të kemi këngë më të mira që ne të mblidhemi jo 2 herë, por 200 herë për të nxjerrë këngën më të bukur. Jam i lumtur që ne kemi këtë kualitet jo vetëm në aspektin e programit dhe këngëve, por edhe larmisë së jurisë dhe ne e kemi ndihmuar shumë njëri-tjetrin duke dhënë secili atë specifikën e vet për të arritur një përzgjedhje sa më të mirë”, theksoi ai.
Edhe violinisti Olen Çezari, anëtar i jurisë, e cilësoi procesin e vlerësimit si një detyrë të vështirë dhe të përgjegjshme.
“Tre netë pa gjumë na keni lënë me këtë hall, na keni futur në siklet. Na kanë dalë 40 kushërinj, na kanë rënë 100 telefona. Është i vështirë ky zanat, saqë sot jam mbyllur nga ora 4 deri në 8 para kompjuterit, i kam dëgjuar këngët 30 herë që mos t’i ha hakun askujt,” tha ai mes batutash.









