Flamuri amerikan ngrihet në oborrin e xhamisë Prof. Dr. Bedri Kamberi të Prishtinës
Nën tingujt e himnit amerikan dhe në një ceremoni ku u përcuan mesazhe mirënjohjeje, flamuri i SHBA-së u ngrit të shtunën në oborrin e Xhamisë “Profesor Doktor Bedri Kamberi” të Prishtinës. Imami i kësaj xhamie, Labinot Maliqi, e cilësoi këtë gjest si shprehje të mirënjohjes së popullit të Kosovës për atë që Shtetet e Bashkuara kanë bërë për vendin.
“Sot, përmes kësaj ceremonie modeste, por me domethënie shumë të madhe, ne e vëmë në jetë pikërisht këtë mësim. Ne falënderojmë një mik të madh, duke mos harruar se burimi i çdo mirësie është prej Zotit të madhëruar dhe se Atij i takon falënderimi më i lartë. Prandaj sot, nga oborri i kësaj xhamie në Prishtinë, themi me respekt, me zemër dhe me mirënjohje: Faleminderit, Amerikë! Faleminderit për miqësinë e qëndrueshme! Faleminderit për mbështetjen e palëkundur! Faleminderit për kontributin historik në lirinë, paqen dhe shtetndërtimin e Republikës së Kosovës!”, deklaroi Maliqi.
Ndër të tjera, Maliqi u shpreh se një nga shtyllat kryesore mbi të cilat u ndërtuan Shtetet e Bashkuara është liria e besimit dhe e ndërgjegjes.
“Një nga vlerat më të çmuara mbi të cilat u ndërtua Amerika është liria e fesë dhe e ndërgjegjes. Themeluesit e saj e kuptuan se besimi nuk mund të imponohet me forcë dhe se njeriu duhet të jetë i lirë ta kërkojë të vërtetën me bindje, me arsye dhe me ndërgjegje. Si popull që kemi përjetuar luftën, padrejtësinë dhe mungesën e lirisë, ne e dimë më mirë se sa e shtrenjtë është liria dhe sa shumë vlen një mik i vërtetë në ditët më të vështira”, u shpreh ai.
Ngritja e flamurit amerikan në oborrin e xhamisë “Profesor Doktor Bedri Kamberi” në ditën e Pavarësisë së SHBA-së është kthyer tashmë në një traditë, pasi ky është viti i katërt që ky flamur valëvitet atje.
Gazetare: Elda Lame
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




