Franca i kërkon Kinës të ndalë ndihmat për ushtrinë ruse

Botë | 3 vite më parë

Kryediplomatja e Francës i bëri thirrje Kinës që të jetë vigjilente dhe të mos i ofrojë mbështetje direkte dhe indirekte Rusisë për luftën ndaj Ukrainës.

Kateron Kolona ( Catherine Colonna) i bëri këto komente gjatë përmbylljes së vizitës së saj në Pekin me ministrin e Jashtëm kinez, Wang Yi. Parisi tha se kjo vizitë kishte për synim të përqendrohej në thellimin e këmbimeve mes dy shteteve, por po ashtu do të dominohej në ngjarjet aktuale botërore sikurse konflikti në Ukrainë dhe lufta mes Izraelit dhe Hamasit.  “Ne duam të kemi një dialog të mirëfilltë me Kinën për çështjet globale, por po ashtu edhe për krizat kryesore”, tha Kolona gjatë konferencës për media në Pekin pas takimit me Wang. Ajo tha se Franca “llogarit në vigjilencën” e autoriteteve kineze që të sigurohen që asgjë në Kinë “nuk do të kontribuojë në mënyrë direkte apo indirekte në përpjekjet e luftës ilegale të Rusisë”. 

Ndërkaq, Wang tha se Kina “ka raporte normale dhe miqësore” me Rusinë dhe Iranin, por edhe me shumë shtete të tjera. “Sa i përket çështjeve ndërkombëtare dhe rajonale, Kina gjithmonë ka mbajtur një pozicion objektiv dhe të paanshëm, gjithmonë ka respektuar normat e raporteve ndërkombëtare dhe gjithmonë ka zgjidhur mosmarrëveshjet dhe dallimet përmes dialogut dhe konsultimeve dhe insiston në mbajtjen e paqes botërore dhe stabilitetit”, tha ai. 

Por, Kina ka refuzuar që ta dënojë pushtimin rus të Ukrainës dhe ka thelluar bashkëpunimin e saj ekonomik, diplomatik dhe ushtarak me Moskën, që nga nisja e luftës në shkurt të vitit 2022.

Gazetar Artur Mata

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme