Francesk Radi “vjen” në Festivalin e Pranverës, Altin Goci nderon kujtimin e tij dhe interpreton me kitarën e këngëtarit të famshëm “Zemër e lodhur”

Kulturë | 4 muaj më parë

Një nga momentet më të ndjera të Festivalit të Pranverës ishte interpretimi i Altin Gocit, i cili solli në skenë një homazh për kantautorin dhe këngëtarin e njohur Françesk Radi, duke kënduar “Zemër e lodhur”.

Performanca nisi në mënyrë të veçantë, me një monolog dhe recitim të vargjeve të këngës, duke krijuar një atmosferë të thellë emocionale dhe reflektuese për publikun.

Teksti i “Zemër e lodhur”, i shkruar nga Françesk Radi, u soll në vëmendje si një dëshmi e ndjeshmërisë artistike të tij:

“Nga zhurma e qytetit ika që me natë
Përpara rruga e gjatë,
E lashë qytetin mbushur plot me zogj të vrarë
Trishton një pemë e thatë, dhe bari qan…
Sa më ka plakur kjo dhimbje e gjatë”

Gjatë interpretimit, Goci u ndal edhe te figura e Radit, duke e vlerësuar si një nga emrat më të rëndësishëm të muzikës shqiptare, jo vetëm për krijimtarinë e tij, por edhe për vlerat njerëzore dhe artistike.

Goci theksoi se kënga “Zemër e lodhur” ishte një homazh i drejtpërdrejtë për artistin e ndjerë, të cilën e interpretoi me kitarën personale të Françesk Radit, duke e bërë momentin edhe më emocional për publikun.

“Françesk Radi, për ata që e njohin dhe për të tjerë që e zbulojnë sot, ishte shumë më tepër sesa një inovator i këngës shqiptare. Përpara se të ishte një nga kantautorët e parë shqiptarë, ai ishte një njeri i mirë, me një dinjitet të paepur. Franko kishte poezi; këngët e tij ishin një freski muzikore në skenën tonë.

Vepra e tij kishte një dimension krijues që shkon përtej muzikës së lehtë, me thellësi artistike dhe vulë të qartë personale. Koha kur ai nisi rrugëtimin e tij artistik nuk ishte e lehtë për të. Duke qëndruar përballë saj, koha e ndëshkoi, i mori zemrën dhe penën, por ai mbijetoi dhe priti ditë më të mira. Kur u duk se ato ditë më në fund erdhën, në një çast krijimi krejt intim, ai na rrëfeu zemrën e tij të lodhur”, tha Altin Goci.

Performanca u prit me duartrokitje të gjata, duke u kthyer në një nga momentet më të ndjera të festivalit dhe një kujtesë të fortë për trashëgiminë artistike të Françesk Radit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme