Fushatë sensibilizuese në Elbasan, Kryqi i Kuq edukon të rinjtë për dhurimin e gjakut dhe ndihmën e parë
Në Elbasan, Kryqi i Kuq zhvilloi një aktivitet të posaçëm me fokus ndërgjegjësimin e qytetarëve, veçanërisht të rinjtë, mbi rëndësinë e dhurimit vullnetar të gjakut dhe aftësimin e tyre në dhënien e ndihmës së parë në raste aksidenti apo emergjencash.
Në qendër të veprimtarisë ishte edukimi i brezit të ri për të kuptuar vlerën e solidaritetit dhe humanizmit. Gjatë aktivitetit u demonstruan disa nga hapat bazë të ndihmës së shpejtë, duke u mësuar të rinjve sesi të reagojnë në situata të papritura, qofshin ato në shkollë apo në rrugë.
“Askush nuk e di se kur dhe ku mund të ketë nevojë, por të gjithë e dimë që ndihma e parë duhet të jepet. Kryqi i Kuq Shqiptar ka ekskluzivitetin e trajnimeve për dhënien e ndihmës së parë në gjithë Shqipërinë. Në mbarë qytetet e Shqipërisë ekzistojnë grupe të instruktorëve të cilët bëjnë trajnime për ndihmën e parë,” tha Ened Llapushi, sekretari i degës së Kryqit të Kuq në Elbasan.
Në një intervistë për RTSH, ai theksoi rëndësinë e dhurimit vullnetar të gjakut, duke e cilësuar atë një akt humanitar që shpëton jetë.
“Duhet të themi që numri i dhuruesve vullnetarë fatkeqësisht është i pakët në Shqipëri. Me gjithë punën e bërë edhe nga ne, edhe nga institucionet përkatëse, prapë nevoja për gjak mbetet – kjo për shkak të aksidenteve të ndryshme apo sëmundjeve që kanë nevojë për gjak, ose për fëmijët me talasemi. Kryqi i Kuq i bën këto seanca sensibilizimi që të plotësojë nevojat e fëmijëve të sëmurë me talasemi. Rezultatet janë disi të kënaqshme,” u shpreh z. Llapushi.
Ndonëse fushata e dhurimit të gjakut është e njohur nga Kryqi Kuq, sërish në Elbasan vërehet një hezitim i qytetarëve. Shpesh në rastet e aksidenteve, gjaku në dispozicion është i pamjaftueshëm dhe në shumicën e rasteve janë vetë familjarët që dhurojnë.
“Dhurimi i gjakut është vullnetar për të vetmen arsye se gjaku më i sigurt është gjaku që dhurohet nga personat të cilët e dinë shëndetin e tyre. Dhurues me pagesë nuk ka. Është hequr me vendim qeverie dhe faktikisht as në vendet europiane nuk ekziston dhurimi me pagesë. Andej është kulturë. Që të dhurosh gjak, në radhë të parë, i bën mirë shëndetit të dhuruesit, por shpëton edhe një jetë. Periudha më e mirë është shtator-qershor, për arsye se njerëzit janë aktivë, nuk kanë filluar akoma pushimet verore, kur largohen ose fillon vapa, e cila ndikon te dhuruesit,” tregoi përfaqësuesi i Kryqit të Kuq.
Në mbyllje të aktivitetit, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të sektorit të Policisë Rrugore të Elbasanit. Ata ndanë këshilla për drejtuesit e automjeteve lidhur me rëndësinë që ka bashkëpunimi me Kryqin e Kuq dhe ndërgjegjësimi për sigurinë në rrugë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




