Gërmimet në Zubin Potok, kryeprokurori i Kosovës- Identifikimi i mbetjeve mortore do të kërkojë kohë

Kosovë | 2 muaj më parë

Pas vizitës në Kalludër të Zubin Potokut, ku për të tretën ditë po vijojnë gërmimet pasi dyshohet për ekzistencën e një varreze masive nga lufta e fundit në Kosovë, kreu i Prokurorisë Speciale të Kosovës Blerim Isufaj deklaroi se është konfirmuar se mbetjet e gjetura janë me origjinë njerëzore, por theksoi se procesi i identifikimit është i ndërlikuar dhe kërkon kohë.

Ajo që ka shumë rëndësi është se identifikimi merr kohë dhe kërkon standarde për marrjen dhe identifikimin e secilit trup përmes ADN-së. Mirëpo, këto mbetje nuk mund të tërhiqen aq lehtë, sepse paraprakisht duhet të rikonstruktohet trupi i njeriut e pastaj të dërgohet në Mjekësinë Ligjore, për të vazhduar më tej me procedurat e tjera….”

Isufaj bëri thirrje të tregohet kujdes me deklaratat mbi këtë çështje, pasi sipas tij mund të dëmtohet hetimi dhe si pasojë mund të devijojë rezultati tij përfundimtar.

Ndërsa vizitoi fshatin Kalludër, presidentja në detyrë Albulena Haxhiu akuzoi Serbinë për fshehjen e krimeve të luftës.

 “Për sa kohë këtu po bëhet përpjekje maksimale për të kuptuar se ku janë personat e zhdukur me dhunë, vazhdojmë të përballemi me gjuhë urrejtjeje, me retorika shoviniste, me mohim të krimeve e po ashtu me pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës nga krerët e institucioneve në Serbi, qoftë këtu nga Vuçiq, qoftë këtu nga Bërnabiq. Pra, nuk mund të ketë paqe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për sa kohë kemi varreza të fshehura, për sa kohë kemi arkiva të mbyllura dhe për sa kohë kemi mohim të së vërtetës nga ana e Serbisë.”

Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës ka arrestuar dy serbë që dyshohen për përfshirje në vrasjen e 23 civilëve shqiptarë, që dyshohet se janë “grupi i intelektualëve të Mitrovicës” të zhdukur gjatë luftës së vitit 1999.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme