Gërvalla: Koha për dialog serioz mes partive, të shmanget “mentaliteti bllokues”

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se skena politike në Kosovë duhet të hyjë në një fazë të re dialogu dhe bashkëpunimi institucional, duke theksuar nevojën për tejkalimin e bllokadave politike dhe shmangien e zgjedhjeve të panevojshme.
Ajo tha se përvoja e deritanishme ka treguar se mungesa e marrëveshjeve politike ka çuar shpesh në procese zgjedhore që nuk kanë prodhuar ndryshime të mëdha në përbërjen institucionale të vendit. Sipas saj, qytetarët e Kosovës e kanë dhënë tashmë mesazhin e tyre përmes votës dhe tani është koha që ky vullnet të respektohet përmes përgjegjësisë politike dhe bashkëpunimit mes subjekteve.
“Edhe në të kaluarën jemi përpjekur edhe me LDK-në dhe me të tjerët ta zgjidhim çështjen e presidentit. Kemi pasur zgjedhje tërësisht të panevojshme, për të cilat u dit që në fillim se nuk kanë për të sjellë ndonjë ndryshim të madh në përbërjen e kuvendit të ardhshëm. Për besë, është koha që me u ul e me diskutu seriozisht dhe me hequr dorë nga mentaliteti bllokues. Qytetari e ka thënë fjalën e vet, për herë të tretë e ka thënë qartë. Fituesi i këtyre zgjedhjeve po shihet”, u shpreh ajo, duke shtuar se aktualisht po pritet vetëm certifikimi i rezultateve.
Gërvalla theksoi se hapat e ardhshëm politikë do të përcaktohen fillimisht brenda koalicionit qeverisës, e më pas përmes konsultimeve me partitë opozitare, me qëllim arritjen e një zgjidhjeje të përbashkët institucionale. Ajo shtoi se procesi i negociatave duhet të bazohet në vullnet të mirë dhe gatishmëri për kompromis, duke theksuar se dialogu politik duhet të zhvillohet drejtpërdrejt mes palëve dhe jo përmes deklaratave publike.
“Se cilët do të jenë hapat që do të ndjekim, atë do të ulemi së pari brenda koalicionit dhe do t’i diskutojmë, dhe pastaj do të ulemi të diskutojmë edhe me partitë opozitare dhe do të jemi përsëri të përkushtuar dhe të angazhuar që të gjejmë mënyra për t’i qartësuar. Zgjidhja apo jo, njeriu kur hyn në negociata hyn me vullnetin për të gjetur zgjidhje… ne jemi të interesuar të diskutojmë me partnerët tanë potencialë pa diskutuar paraprakisht me mediat. Rendi e kërkon që me u diskutu me njerëzit direkt”, u shpreh Gërvalla.
Në këtë kontekst, ajo kritikoi qasjen e opozitës, duke thënë se vendosja e kushteve paraprake e vështirëson nisjen e dialogut politik.
“Shikoni, opozita do të bënte mirë të mos vendoste kushte, sepse vendosja e kushteve është parakusht shumë i keq për fillim negociatash. Mendoj që qytetari i Republikës së Kosovës është ai që vendos”, theksoi ajo. Gërvalla nënvizoi se politikanët duhet të tregojnë më shumë përgjegjësi në këtë fazë, duke u fokusuar në zgjidhje institucionale dhe jo në përplasje politike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




