Gjenden mbetjet mortore të 4 personave në Jabukë të Vogël, Komisioni Qeveritar: Dyshohet se janë viktima lufte

Kosovë | 2 muaj më parë

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se gjatë gërmimeve të zhvilluara në fshatin Jabukë e Vogël, në Komunën e Zubin Potokut, janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore të katër personave, të cilat sipas vlerësimeve fillestare u përkasin viktimave të zhdukjes me forcë gjatë luftës.

Sipas njoftimit zyrtar, më 3 gusht 2026 kanë vazhduar aktivitetet gërmuese në kuadër të trajtimit të lokacioneve të dyshuara si varre masive në fshatrat Kalludër dhe Jabukë. Për shkak të kushteve dhe specifikave të terrenit, punimet janë përqendruar në lokacionin e Jabukës së Vogël.

“Gjatë gërmimeve të zhvilluara sot në Jabukë të Vogël janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore të katër personave, që sipas vlerësimeve fillestare, u përkasin viktimave të zhdukjes me forcë gjatë luftës”, thuhet në njoftimin e Komisionit.

Mbetjet mortore janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku do t’u nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme mjekoligjore, përfshirë identifikimin përmes analizës së ADN-së.

Komisioni bëri të ditur se në ditët në vijim do të vazhdojnë gërmimet vlerësuese edhe në lokacionin e varrit masiv në Kalludër, ku punimet kishin nisur javën e kaluar, si dhe në lokacione të tjera të shënjuara.

Procesi i gërmimeve dhe zhvarrimeve është realizuar nga ekspertët mjekoligjorë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, përfshirë ekspertët e EULEX-it të angazhuar në kuadër të institutit, me mbështetjen e Policisë së Kosovës, institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë, Shoqatës për Kërkim-Shpëtim dhe Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur. Komisioni ritheksoi angazhimin për të vazhduar, në bashkëpunim me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, përpjekjet për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës, si dhe për garantimin e të drejtës së familjarëve për të mësuar fatin e më të dashurve të tyre.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme